Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kush do të lëshojë më shumë pe, Irani apo SHBA-të?

Kush do të lëshojë më shumë pe, Irani apo SHBA-të?

 

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka paralajmëruar rifillimin e negociatave të paqes me Iranin, të cilat u ndërprenë javën e kaluar në Islamabad.

Këto bisedime pasuan dakordimin e dy palëve për një armëpushim dy javor për konfliktin që ka filluar me 28 shkurt nga sulmet ajrore amerikano-izrealite kundër regjimit në Teheran.

Ndërkohë, ky i fundit në pamundësi për t’i shkaktuar dëme serioze kapaciteteve ushtarake të SHBA-ve dhe Izrealit u hakmorr duke i sulmuar disa prej shteteve arabe në Gjirin Persik eksportuese kryesore të derivateve të naftës si dhe vende aleate të Uashingtonit dhe duke e mbyllur ngushticën e Hormuzit për anijet që i konsideron se i përkasin vendeve jo miqësore të Iranit duke shkaktuar në këtë mënyrë një destablizim global të tregjeve energjetike.

 

Ndërkaq, në një kundëreagim edhe SHBA-të e kanë mbyllur këtë arterie detare tash për Iranin, një veprim ky i ngjashëm kur në vitin 1963 britaniket e kishin bllokuar atë për ta shtuar presionin mbi qeverinë e majtë të Muhamed Musadekut, pasi ky i fundit e pat nacionalizuar industrinë e naftës.

Këtu duhet cekur se deri me tani Irani e ka bazuar strategjinë e tij te sigurisë së tij shtetërore në tri shtylla kryesore “programin e tij raketor, aftësinë e fshehtë për të ndërtuar një armë bërthamore dhe mbështetjen për aktorë jo-shtetërorë dhe përfaqësues terroristë si Hamasi dhe Hezbollah” .

Mirëpo pas sulmit terrorist të Hamasit mbi Izrealin me 7 tetor dhe kundëreagimit të shtetit Izrealit, këto forca thuajse janë demoluar në masë të madhe duke e demtuar jashtëzakonisht shumë potencën e Iranit për projektim të fuqisë rajonale. Po ashtu, si lufta 12 ditore e vitit te kaluar dhe kjo që filloi me 28 shkurt e SHBA-ve dhe Izrealit kundër Iranit e ka shkatërruar tejet seriozisht infrastrukturën civile dhe ushtarake të këtij shteti.

Prandaj, përdorimi i Ngushticës se Hormuzit si mjet lufte ishte arma e vetme qe Teheranit i kishte mbetur në dorë për të shkaktuar dhimbje ekonomike globale me qëllim që te shtohet sa më shumë presioni mbi SHBA-te për një zgjidhje sa më të shpejt paqësore. Por tashmë edhe kjo e fundit është duke e përdorur të njëjtën levë. Me këtë rast gatishmëria për më shumë lëshime në procesin e negociatave që do të rifillojnë shumë shpejt sipas të gjitha gjasave do të jetë më më e madhe nga ajo pale që ka më pak durim për t’i ballafaquar me telashet ekonomike që kanë lindur nga bllokimi i ngushticës në fjalë. Sipas shumë analistëve Irani është me i kalitur në këtë drejtim për shkak të kohës së gjatë nën sanksione perëndimore.