Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se qeveria Kurti po e dizajnon në favor të Kosovës procesin e dialogut, që sipas saj dikur bëhej me zgjidhje të veçanta dhe në kurriz të Kosovës.
Ajo ka thënë se kjo qeveri ka qëndrime me vlera universale që forcojnë pozicionin e Kosovës në këtë proces.
Kuari-Lila: Frustrimet dhe gabimet e paraardhësve nuk duhet faturuar qeverisë së sotme
“Sot në vigjilje të 15-vjetorit të pavarësisë së shtetit tonë thjeshtë mund të reflektojmë dhe kërkojmë më shumë përgjegjësi dhe më shumë sinqeritet nga vetvetja se çfarë mund të bënim më mirë, por frustrimet e gabimeve të paraardhësve tonë nga ky Kuvend dhe nga pozitat e mëhershme nuk duhet të ia faturojmë qeverisë së sotme. Nga e njëjta foltore kur në Kuvendin e Kosovës u shpall pavarësia, nga e njëjta u kërkua votë për Asociacionin, nga e njëjta u kërkua votë për Gjykatën Speciale, të dyja u bënë që nga ajo kohë në bashkërendim dhe bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, asnjë prej kërkesave nuk e kishte deri në fund arsyetimi logjik për realitetin e Kosovës. Të njëjtat u synua të shtyhen sepse do të jemi më mirë, por të gjithë që kanë besuar se do të jemi më mirë e keni kuptuar se nuk u bë më mirë dhe nuk u avancua Kosova. Në të kundërtën ne bashkë bartim një peshë të rëndë e cila para se t’i ngarkohet qeverisë duhet të kërkohet përgjegjësia e secilit për ngarkesën që ja vëmë vendit“, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se në vitin 2017 kishte filluar faza më e rëndë dhe e rrezikshme e procesit negociator, duke përmendur atë të idesë së shkëmbimit të territoreve.
Sipas saj, ajo periudhë shënohet si me e keqja ndonjëherë për Kosovën në procesin e negociatave me Serbinë. /TV Arbëria