Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila akuzoi sot partitë opozitare se po përdorin ndikimin e tyre në Prokurorinë e Kosovës për të sulmuar Qeverinë Kurti.
Në debatin parlamentar për zhvillimet në KEK, pas arrestimit të Nagip Krasniqit, shefja e deputetëve të LVV-së tha se opozita e përdorën thirrjen e mikut, duke aluduar në prokurorinë që të arrestohet ish kryeshefi i KEK-ut, siç tha ajo edhe pa fakte mirë të argumentuara.
Kusari-Lila: Opozita po shfrytëzon ndikimin në Prokurori
“Analiza e thjesht e arsyetimit për këtë debat parlamentar nga ana e opozitës, e cila edhe një herë fatkeqësisht mban nënshkrimin e ish ministrit të drejtësisë së kësaj opozita e arsyeton mungesën e kredibilitetit dhe mungesën e drejtësisë në vend. Në arsyetimin e saj opozita është thirr në shqetësimin e thellë që ata e kanë për tendencat e kinse pozitës për të ndërhyrë në punën dhe institucioneve të pavarura të drejtësisë. Por çka po ndodh sot, opozita po mundohet të shfrytëzojë mekanizmin në të cilin ende e kanë ndikimin e tyre, atë të prokurorisë, duke kthyer sallën e Kuvendit në gjykatore. Për të realizuar këtë skenar deri në fund, unë i propozoj opozitës që ta bëjnë edhe një mocion sot dhe nga qendra e paraburgimit ku po mbahet zotëri Nagip Krasniqi të sillet këtu, në sallën e Kuvendit, ashtu duar lidhur siç e nxorën nga gjykata dhe të pyetet për të gjitha procedurat e prokurimit dhe aktivitetet operacionale që janë zhvilluar në KEK gjatë 1 viti e gjysmë sa ishte ai drejtor”, tha ajo.
Sipas saj, arrestimi i Nagip Krasniqit ka ndodhur pse i është dhënë dikujt tender e dikujt tjetër jo.
Kusari-Lila: Opozita e përdorën thirrjen e mikut
“Çfarë bëri opozita, e nxori kartën që e kanë më të sigurt, atë që mund të llogaritin në efekte edhe pa fakte mirë të argumentuara. E dinë, përdorin thirrjen e mikut, kjo rezultoi në hetim dhe arrestim spektakolar që në të kaluarën e kemi parë vetëm një herë, tek ish guvernatori i BQK-së Hashim Rexhepi, i cili nxirët duarlidhur. Një paralele me rastin e zotëri Rexhepi nuk ndodhin pse i jep tender dikujt por nëse nuk i jepen tenderë dhe kontrata dikujt tjetër”, tha ajo,derisa përmendi, ato siç i quajti suksese të KEK-ut vitin e fundit.
Kusari-Lila: KEK-u ka fituar 107 milionë euro neto vitin e kaluar
“KEK ka një vazhdimësi të rritjes së performancës financiare e cila ka një nivel të jashtëzakonshëm në vitin 2022. Megjithëse me sfida të jashtëzakonshme, KEK-u realizoi një fitim neto prej 107.7 milionë euro që përbëjnë një rritje të fitimit neto rreth 68 milionë euro në krahasim me vitin 2021”, shtoi Kusari-Lila.
/TV Arbëria