Radio Kosova: Doktor, fillimisht na tregoni sa raste të reja me kancer të gjirit janë regjistruar gjatë këtij viti në Kosovë?

Dr. Ilir Kurtishi: Në bazë të dhënave që i kemi në kancer regjistrin e Klinikës Onkologjike  nga janari deri në shtator të këtij vitit  kemi 330 raste  të reja me kancer të gjirit. Përafërsisht kemi një numër të njëjtë me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Radio Kosova: Sa prej këtyre rasteve janë gra dhe a ka ndonjë rast të raportuar te meshkujt me kancerin e gjirit?

Dr. Ilir Kurtishi: Nga 330 raste të regjistruara me kancer të gjirit  prej tyre janë edhe 3 meshkuj. Dhe të dhënat  janë duke u përpunuar, dhe ky numër mbetet i njëjtë me vitin paraprak, dhe nëse ky trend vazhdon kështu edhe për tre muajt në vazhdim, ne do të kemi një numër përafrisht të njëjtë të rasteve të reja me kancer të gjirit si në vitin 2024.

 Radio Kosova : Cilat janë simptomat e para të kancerit të gjirit te një grua?

Dr. Ilir Kurtishi: Simptomat variojnë varësisht nga stadi i sëmundjes, pasi në fillim sëmundja është e padukshme dhe nuk jep shenja. Ndërsa  shenjat ku lajmërohen dhe simptomat sjellin të diagnostikimi i sëmundjes. Ndërsa shenjat më të shpeshta janë: deformiteti i gjirit, ndryshimi i formës, madhësisë dhe ngjyrës së gjirit. Pastaj prania e ndonjë  gunge në gji, tërheqja e majës së gjirit, sekrecionet jo normale të gjirit, gjak, qelb. Kemi edhe raste kur sëmundja është më e avancuar dhe pacienti ka dhimbje të krahut në anenë ku është zhvilluar sëmundja.

Radio Kosova: Në cilat mosha rekomandohet të bëhen kontrollet e rregullta të gjirit, si ultrazëri dhe mamografia?

Dr. Ilir Kurtishi: Mosha e preferuar për të kryer këto kontrolle është mosha 40 vjeçe. Së paku një ultrazë që i paraprinë mamografisë. Por nuk do të thotë që nuk mund të bëhet edhe para kësaj moshe nëse ka ndonjë ndryshim ose shqetësim ndonjë femër. Dhe veçanërisht kur kanë anamnezë familjare me kancer të gjirit.

Radio Kosova: Cilat janë grupmoshat më të prekura nga kanceri në Kosovë, dhe cilët janë faktorët kryesorë që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve?

Dr. Ilir Kurtishi: Grupmoshat më të atakuar me kancer të gjirit janë ato mbi moshën 50 vjeçe. Ndërsa viteve të fundit kemi raste me kancer të gjirit edhe te femrat nën moshën 50 vjeç. Për këtë arsyeje kontrollet  dhe ekzaminimet imazherike  janë shumë të domosdoshme në këtë moshë  në mënyrë që sëmundja të zbulohet sa më herët.

Radio Kosova: Si është gjendja me pajisjet mjekësore diagnostikuese dhe a janë kushtet e trajtimit të favorshme në Klinikën e Onkologjisë?

Dr, Ilir Kurtishi: Në  Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ofrohen shërbime terapeutike të formave të ndryshme të sëmundjeve malinje. Kemi dy shërbime: Shërbimin e Kimioterapisë dhe Shërbimin Radioterapisë, të cilët më kapacitete plota i mbulojnë dhe trajtojmë pacientet me sëmundje malinje.

Radio Kosova: A ofrohet trajtimi onkologjik falas për të gjithë pacientët në Klinikën e Onkologjisë, apo pacientët duhet ta sigurojnë vetë terapinë dhe barnat?

Dr. Ilir Kurtishi: Të gjitha trajtimet në Klinikën e Onkologjisë janë falas, me përjashtim ndonjëherë kur mungon ndonjë ilaç. Për fat të keq, këtë vit pa autorizim marketingu,sidomos për kancer të gjirit është dashur të sigurohet nga pacienti. Shpresojmë që kjo pengesë të tejkalohet se shpejti. Ne kemi ngrit cilësinë e trajtimit të pacienteve me kancer të gjirit dukë përdorur terapi biologjike për kancerin e gjirit, terapi e targetuar dhe të kombinuar me antitrupa e e cila jepet me një preparat me dy substanca, gjë që në vendet e rajonit e posedojnë si të ndarë. Dhe kjo e ka lehtësuar kohen e dhënies së këtij ilaçi.

Radio Kosova: Cilat janë sfidat që e përcjellin Kliniken e Onkologjisë?

Dr. Ilir Kurtishi: Sfidat të cilat po  e përcjellin Kliniken e Onkologjisë tash e sa vite është mungesa e stafit infermerior, kjo nga fakti se kërkesat për trajtim të pacienteve me sëmundje malinjë është duke u rritur, dhe jetëgjatësia e pacienteve është rritur dhe kjo kërkon që të kemi staf të mjaftueshëm infermerior në mënyrë që kërkesat, nevojat dhe shërbimet e reja  të kenë një mbulueshmëri më të mirë për pacientet nga stafi infermerior.

Radio Kosova: Si qëndron furnizimi me barna dhe terapi në Klinikën e Onkologjisë?

Dr, Ilir Kurtishi: Këtë vit në disa përudha të caktuara kohore kemi pasur mungesa të vogla në disa barna të cilat nuk kanë autorizim në marketing. Në disa barna kemi pasur mungesë nga operatorët ekonomikë. Por shumica e terapive në mas 80% ka qenë e mbuluar  dhe e pranishme në klinikën tonë.

Radio Kosova : Në Kosovë ende nuk ka programe për skriningun e kancerit të gjirit. Sa ndikon mungesa e këtyre programeve në zbulimin dhe trajtimin e hershëm të kancerit të gjirit?

Dr. Ilir Kurtishi: Fushatat vetëdijesuese për kancerin e gjirit nga profesionistët shëndetësorë, si dhe shoqatat e tjera kanë bërë që të zbulohen këto viteve të fundit sëmundjen në stadin e parë dhe të dytë. Por me angazhim më të madhe me më një skring te detajuar kjo do të bënte që  sëmundjet malinje t’i gjejmë në stadin e parë dhe të dytë me një përqindje shumë më të lartë mbi 70%.

Radio Kosova: Meqë jemi në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, cili është apeli yt drejtuar grave dhe vajzave në Kosovë?

Dr. Ilir Kurtishi: Inkurajomë secilin qytetar të Republikës së Kosovës, që të bëjë kontrolle jo të shpeshta por të domosdoshme dhe të arsyeshme, sa herë që kanë ndonjë shqetësim, të kërkojnë ndihmë te mjeku familjar, dhe sipas rekomandimeve të tij, të kërkojnë ndihmë nëpër qendra të veçanta për diagnostikim të sëmundjes. Ndërsa të gjitha ato gra që janë duke u trajtuar dhe ato të cilat kanë  tashmë dhe e kanë tejkaluar këtë sëmundje janë model dhe heroina të vërteta të cilat me forcën dhe kurajën e tyre, jo vetëm që e kanë bërë të lehtë trajtimin e  sëmundjes por janë edhe motiv për pacientet e tjerë të cilët vijnë dhe janë ende në mjekim.