Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot u zotua se do t’iu qëndrojnë pranë komunave të prekura nga vërshimet.
Ai në mbledhjen e qeverisë të mërkurën, tha se janë duke bërë vlerësimet për dëmet e shkaktuara, por kërkoi edhe hetim për veprimet e jashtëligjshme në dëm të ekosistemit.
“Dëmet janë të mëdha, ndërkaq rreziku nuk ka kaluar i tëri. Reagimi i institucioneve shtetërore ka qenë i shpejtë, solidariteti me njëri-tjetrin ka qenë i madh. Për fat të mirë pasojat janë vetëm materiale. Si qeveri që nga momenti i parë kemi qenë në ndihmë të qytetarëve në zonat e përmbytura nga uji… Komunave, familjeve, bizneseve dhe qytetarëve nga zonat e prekura do t’iu qëndrojmë pranë përherë. Ndihma nga Qeveria nuk do të mungojë për asnjë moment. Skenderaj, Mitrovica, Klina, Istogu e Podujeva, bashkë, do të ngritën”, theksoi ai.
Kurti shtoi përveç sanimit të dëmeve të shkaktuara, duhet të merren edhe me shkaktarët e këtyre vërshimeve, që sipas tij janë dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i egër i zhavorrit, hedhja e mbeturinave në lumenj dhe prerja ilegale e pyjeve.
“Tani, teksa po punojmë së bashku për të sanuar dëmet e shkaktuara, përveçse me pasojën, duhet të merremi edhe me shkaktarët e shkallës së vërshimeve. Dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i egër i zhavorrit, hedhja e mbeturinave në lumenj, prerja ilegale e pyjeve dhe mungesa e pyllëzimit, sistemet jo adekuate të kanalizimit dhe ujëmbledhës, planifikimi jo i duhur i infrastrukturës publike, si dhe ndryshimet klimatike globale, padyshim që i kanë lehtësuar, shpejtuar dhe shpeshtuar përmbytjet në vendbanimet tona. Krahas vlerësimit të dëmeve, duhet të bëjmë edhe rivlerësim të sjelljes sonë karshi mjedisit dhe natyrës. Në të njëjtën kohë, të përmirësojmë edhe më shumë reagimin tonë dhe përgjegjësitë e institucioneve në parandalimin e tyre. Duhet edhe hetim për veprimet e jashtëligjshme në dëm të ekosistemit. Nuk mjafton rimëkëmbja, nëse nuk nxjerrim mësime. Nuk mjafton tejkalimi i situatës, nëse ajo përsëritet. Na duhet ndërgjegjësim dhe mobilizim institucional dhe shoqëror”, deklaroi Kurti.
Javën e kaluar për shkak të reshjeve të mëdha të shiut dhe vërshimeve janë përmbytur disa komuna të Kosovës.
/TV Arbëria