Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Akademinë përkujtimore për 25-vjetorin e masakrës së Raçakut, ka thënë se krimi në Reçak ishte krim kundër njerëzimit.
“Si viti i 25 i pasluftës, viti 2024, do të jetë i shënuar një përvjetor kur u shënua një masakër ndaj popullit tonë. Masakra e Reçakut është më e hershmja. Atë ditë, këtu në Reçak forcat policore të Serbisë vranë 45 qytetarë, më i riu ishte 14-vjeçar e më i vjetri 99-vjeçar”, u shpreh Kurti.
Kurti tha se kjo tregon për “natyrën e krimit të kryer në Kosovë”.
“Serbia vazhdon ta mohojë e mjegullojë krimin e kryer në Reçak. Atëherë ministër ishte Aleksandar Vuçiq. Ky njeri e ka mohuar në vazhdimësi këtë krim të kryer kundër njerëzimit”, tha tutje Kurti.
Kurti ka kujtuar edhe 11 ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë rënë në betejë duke mbrojtur trupat e masakruar në këtë fshat.
Kryeministri Kurti ka përmendur edhe ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, dhe largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë.
Kosova përkujton 25-vjetorin e masakrës në Reçak, ku në këtë ditë (15 janar) forcat serbe vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ish-ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit. Kurti e përmendi edhe sot në fjalimin e tij se “Walker në vazhdimësi e ka thënë se krimi në Reçak, është krim kundër njerëzimit”.
Edhe sot, në Akademinë përkujtimore Walker është i pranishëm.