Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së përmendi edhe sulmin terrorist në Banjskë që ndodhi më 24 shtator të vitit të kaluar.
Kurti tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk i përmendi tre terroristët e vrarë nga operacioni anti-terrorist i Policisë së Kosovës, sepse, sipas kryeministrit, “Vuçiq e di se ata janë terroristë që ishin të mbështetur, të financuar dhe orkestruar nga ai”.
“Më 24 shtator të vitit të kaluar, rreth 80 trupa paramilitarë të organizuar dhe të mbështetur nga Serbia, nisën një sulm ndaj Policisë së Kosovës, duke rezultuar me vdekjen e oficerit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e dy të tjerëve”- tha Kurti.
“Më 27 shtator shpalli tri ditë zie për terroristët që u vranë nga operacioni antiterrorist i Policisë. E vërejtët që Vuçiq po kujtonte disa serbë të plagosur apo të lënduar në incidente të ndryshme, por ai nuk përmendi tre serbë të vrarë? Pse nuk i përmendi ata? Sepse ai e di se ata janë terroristë që ishin të mbështetur, të financuar dhe orkestruar nga ai. Kjo është arsyeja pse tre serbët e vrarë nuk u përmendën fare”- deklaroi Kurti.