Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kurti uroi komunitetin hebre në Kosovë

Kurti uroi komunitetin hebre në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti, në pritjen e organizuar nga Ambasada e Izraelit në Kosovë, në shënim të festës Hanukkah, ka shprehur urimet më të mira komunitetit hebre në Kosovë dhe në mbarë botën.

Kurti, siç ka bërë të ditur sot Qeveria, ka theksuar historinë e përbashkët, që populli hebre ndan me kombin shqiptar “një histori shtypjeje dhe persekutimi që populli ynë pësoi në periudha dhe vende të ndryshme, por një histori që triumfoi me lirinë dhe çlirimin për të dy kombet”.

“Populli shqiptar i Kosovës ka qëndruar pranë popullit hebre, në kohët më të vështira gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku dhjetëra familje shqiptare strehuan hebrenjtë dhe i ndihmuan ata të shpëtonin nga më e keqja. Shumë vite më vonë, një histori e ngjashme u përsërit, por këtë herë populli shqiptar i Kosovës ishte në nevojë. Familjet hebreje në Izrael ishin ato që hapën dyert e strehimit për shumë prej refugjatëve tanë. Dhe, kjo histori solidariteti mes popujve tanë, po hedh tashmë themelet e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve tona. Ne po e zhvillojmë shpejt këtë bashkëpunim në shumë fusha: arsim dhe kulturë; arkiva dhe kinematografi; bashkëpunim ekonomik; bujqësi dhe sektor të ujit; shkencë, teknologji dhe inovacion; shëndetësi dhe mjekësi, si dhe shumë fusha të tjera me interes të përbashkët.”, citohet se ka thënë Kurti.

Kryeministri ka potencuar se Kosova gëzon një diversitet të pasur kulturor, ku kultura të ndryshme gjatë shekujve kanë lënë gjurmë të prekshme dhe të paprekshme. Dhe ky diversitet kulturor, sipas Kurtit, pasurohet më tej nga gjurmët e kulturës hebraike dhe të komunitetit hebre, të cilat shtrihen në shekuj në historinë tonë.

“Për të forcuar më tej këtë lidhje kulturore dhe shpirtërore, ne kemi ndërmarrë hapa konkret drejt themelimit të Qendrës Kulturore Hebraike në Prizren. Kjo qendër do të vendoset në objektin e trashëgimisë kulturore në kuadër të Qendrës Historike, ndërsa pas restaurimit dhe përshtatjes do të vendoset një sallë lutjesh – një sinagogë dhe muze që tregon historinë e miqësisë mes kombeve tona. Ne synojmë ta kthejmë këtë qendër në një pikë lidhëse për bashkëpunim kulturor ndërmjet Kosovës dhe Izraelit dhe me shtetet e tjera me popullsi të konsiderueshme hebreje.”, ka thënë Kurti, duke shtuar se Hanukkah është një festë e shpresës, lirisë dhe fitores.

Hanukkah është një festë e historisë së fuqishme të çlirimit, në të cilën Makabinjtë kanë çliruar popullin hebre nga dominimi dhe kanë rishenjtëruar Tempullin e Dytë në Jerusalem. Ndezja e një qiriri në Menorah, një qirimbajtëse me tetë degëzime, çdo natë përkujton historinë e llambës së vajit që ishte djegur për tetë ditë, megjithëse ka pasur vaj të mjaftueshëm për të djegur vetëm për një.   /TV Arbëria

Powered by WordPress