Kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar për në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku do të zhvillojë takime bilaterale me liderë në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, sipas ZKM-së.
Zyra e Kryeministrit thotë se me pjesëmarrjen e Kurtit atje synohet edhe “thellimi i raporteve bilaterale me vende partnere” dhe “fuqizimi i mëtejmë i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë në raport me vendet mosnjohëse”.
“Përmes pjesëmarrjes në Javën e Nivelit të Lartë dhe takimeve të parapara synohet thellimi i raporteve bilaterale me vende partnere, fuqizimi i mëtejmë i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë në raport me vendet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, dhe prezantimi i mundësive dhe përparësive që Republika e Kosovës ofron për investitorë të huaj”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.
Gjatë qëndrimit në SHBA, Kurti së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla njoftohet se “gjithashtu do të takojnë pjesëtarë të komunitetit shqiptar në ShBA dhe përfaqësues të shoqatave të diasporës atje”.
“Në fund të vizitës, kryeministri Kurti do mbajë ligjëratë në Universitetin prestigjioz Yale, mbi rrugëtimin demokratik të Republikës së Kosovës 25 vjet pas çlirimit, qeverisjen dhe rritjen ekonomike”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.