Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kurti: Trepça më shumë se ndërmarrje, përmes saj është shkruar historia

Kurti: Trepça më shumë se ndërmarrje, përmes saj është shkruar historia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Trepça është më shumë se ndërmarrje.

Sipas Kurtit, ajo është lidhja e të shkuarës të tashmes dhe ardhmes së vendit jo vetëm ekonomike.

“Trepça nuk është e nuk ka qenë asnjëherë thjesht një ndërmarrje. Ajo është zinxhiri që lidh të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë ekonomike dhe jo vetëm. Nëpërmjet zhvillimit, ka ndihmuar arsimin e industrinë. E përmes saj është bërë dhe shkruar historia. Jo vetëm historia ekonomike e vendit, por edhe ajo politike me efekte rajonale dhe me jehonë ndërkombëtare”, ka shkruar ai në 36 vjetorin e minatorëve të Trepçës.

 

Postimi i plotë:

Sot 36 vjet më parë, 1,300 minatorë të Trepçës hynë në grevë, nëntokë, për tetë ditë. Nga 20 shkurti e deri më 28 shkurt 1989, horizontet 8 dhe 9 të zgafellës së Xeherores së Stan Tërgut, u patën kthyer në llogore rezistence kundër politikave antishqiptare të Serbisë dhe të Jugosllavisë. Kërkesat e minatorëve ishin të shtruara asokohe në gjithsej dhjetë pika, që i mësoi e gjithë Kosova, shqiptaria dhe opinioni publik ndërkombëtar, ndër të cilat pika e 8, thoshte: “fati i shqiptarëve në Kosovë e në Jugosllavi të shqyrtohet në Kombet e Bashkuara”. Pra qysh në atë grevë kërkohej ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve në ish-Jugosllavi në përgjithësi. Ditën e parë që minatorët dolën nga zgafella pasi që e ndërprenë grevën autoritetet e Serbisë e mbyllën minierën dhe i arrestuan 15 persona që u burgosën nga 14 muaj secili prej tyre. Ndërkaq, pas tri javësh, më 23 mars 1989, Kosovës iu suprimua autonomia, kundër vullnetit të popullit tonë. Dhjetë vjetët pasues qenë një dekadë e rezistencës më totale, njëherë paqësore e mandej edhe e armatosur, që rezultoi me çlirimin e Kosovës më 1999 dhe pavarësimin e saj më 2008.

Trepça nuk është e nuk ka qenë asnjëherë thjesht një ndërmarrje. Ajo është zinxhiri që lidh të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë ekonomike dhe jo vetëm. Nëpërmjet zhvillimit, ka ndihmuar arsimin e industrinë. E përmes saj është bërë dhe shkruar historia. Jo vetëm historia ekonomike e vendit, por edhe ajo politike me efekte rajonale dhe me jehonë ndërkombëtare.