Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur sot se në takimin e 18 marsit në Ohër ka paraqitur një ofertë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mirëpo që është refuzuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ai në konferencë për medie ka thënë se nëse pala serbe është dakord që të pranojë tri shtylla bazike, si Kushtetutën e Kosovës, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e parimeve për Asociacionin në vitin 2015 dhe qëndrimin e Brukselit dhe Washingtonit mbi atë se çka përafërsisht është dhe nuk është Asociacioni, atëherë ai është i gatshëm të hartojë statutin e Asociacionit.
Por, kreu qeveritar, duke cituar edhe presidentin serb Vuçiq, ka thënë se ai në Ohër e ka refuzuae ashpër këtë propozim, duke thënë “nuk kemi çka të flasim tutje dhe po humbim kohë”.
Kurti: Mbi këto tri shtylla do të themeloja Asociacion
“Për këtë formulimin vetë menaxhimit të komunitetit serb në njërën anë dhe në anën tjetër edhe për marrëveshjet e trashëguara, por që kanë pësuar rrëzim nga institucionet e shtetit tonë, si Gjykata Kushtetuese apo që janë shkelur nga Serbia, unë kam bërë një ofertë konkrete, duke iu thënë se nëse pala serbe është dakord që të pranojë tri shtylla bazike si: Kushtetutën e Kosovës, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të publikuar më 2015 dhe anën tjetër një qëndrim të Brukselit zyrtar dhe një tjetër të Washingtonit mbi atë çka përafërsisht është dhe nuk është Asociacioni, unë u kam thënë se nëse janë dakord me këtë premisë, atëherë jam i gatshëm ta shkruajë draftin e propozuar. Por, u thash se duhet njëherë të pajtohemi me premisat. Nuk pati dakordim të përfillen këto tri shtyllat. Pra njëra shtyllë është kushtetutshmëria, ligjshmëria jonë dhe aktgjykimet e mëhershme. Shtylla tjetër është qëndrimi i Washingtonit zyrtar dhe shtylla tjetër qëndrimi i Brukselit zyrtar. Me këto tri shtylla unë iu kam thënë se ju sjell statutin si draft të shkruar nesër në mëngjes, këtë iu kam thënë në pasditen e hershme të 18 marsit, në takimin trilateral, mirëpo është refuzuar. Jo vetëm që u refuzua, por në atë momente u tha ‘nuk kemi çfarë të flasim më tutje po humbim kohë, të ngrihemi nga ky takim e të shkojmë’. Ishte refuzim shumë i ashpër i një oferte gjeneroze dhe parimore”, ka thënë Kurti.
Duke folur për marrëveshjen e panënshkruar me Serbinë, kryeministri Kurti ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të dëshmohet tani për zbatimin e saj.
Sipas tij, përmes deklaratave pala serbe po tregon se nuk e ka ndërmend të zbatojë diçka nga ajo ujdi.
Kurti: Bashkimi Evropian duhet të dëshmohet tani
“Bashkimi Evropian duhet të dëshmohet tani. Ne kemi marrëveshje, kishim marrëveshje me 27 shkurt, bëmë sërish marrëveshje me 18 mars. Njëra në Bruksel, tjetra në Ohër dhe që të dyja janë marrëveshje. Janë konstatuar nga ndërmjetësi Josep Borrell dhe emisari Lajçak se kjo është marrëveshje. Pra BE-ja po thotë se është marrëveshje, në anën tjetër kemi deklaratat e palës serbe që tregon se si nuk e ka ndërmend të zbatojë diçka apo si tashmë po shkel diçka tjetër, por ne nuk duhet të merremi më këtë, prandaj ekziston ndërmjetësuesi. Tash BE-ja është ai që duhet të sigurojë që marrëveshjet e dakorduara duhet të zbatohen në teren, s’ka kuptim të mbeten në letër, pa ndryshuar realitetin e qytetarëve”, ka thënë Kurti.
Sa i përket deklaratës së djeshme të emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak se neni shtatë, ku flitet për vetë menaxhim është në fakt themelim i Asociacionit, Kurti ka thënë se nuk i mohojnë dy marrëveshjet e kaluara për Asociacionin, mirëpo të njëjtat janë të cenuara juridikisht dhe janë shkelur po ashtu nga pala serbe.
Përkitazi me këtë, ai ka thënë se edhe në marrëveshje flitet për vetëmenaxhim të komunitetit serb dhe nuk thuhet të komunave.
Kurti: Në pikën shtatë thuhet vetë menaxhim i komunitetit serb, jo komunave
“Në pikën shtatë të marrëveshjes bazë thuhet një nivel adekuat i vetë menaxhimit të komunitetit serb. Thuhet komunitetit serb, nuk thuhet komunave. Komuniteti nuk është kategori territoriale, komunat janë njësi territoriale dhe administrative, pra nuk është e njëjta gjë. Unë e kuptoj se nuk janë krejtësisht të ndryshme të palidhura, por nuk janë e njëjta gjë. Unë e kam thënë se nga pikëpamja ime e fuqishme, jo thjesht politike por edhe juridike, kur themi komuniteti serb, atëherë automatikisht shkojmë tek marrëveshja kornizë për mbrojtjen e pakicave sipas Këshillit të Evropës”, ka shtuar kryeministri Kurti.
Krahas kësaj, ai i ka bërë thirrje gjitha partive politike, përfshirë edhe Listës Serbe që të shfrytëzojnë ditën e fundit për të aplikuar për zgjedhjet e 23 prillit në veri të Kosovës.
Kurti: Të shfrytëzohet ora e fundit për të aplikuar për zgjedhjet e 23 prillit
“Ftoj të gjithë politikanët, partitë politike, që duan të angazhohen në vendin tonë të përbashkët, përfshirë edhe ata nga komuniteti serb ta shfrytëzojnë ditën e fundit për kandidim për 22 mars 2023 për zgjedhjet e 23 prillit 2023. Është me rëndësi të gjithë ata që duan të angazhohen për politika publike në nivelin komunal në katër komunat në veri e që duan të përfaqësojnë politikisht interesat e qytetarëve, në këtë rast të pakicës serbe, të shfrytëzojnë orët e fundit të mundësisë për të aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, ai ka nënvizuar se të gjithë serbët e Kosovës duhet të aplikojnë për t’iu bashkuar institucioneve të Kosovës.
Kurti: Sa vjen e rritet aplikimi i serbëve në institucionet e Kosovës
“Unë nuk kam bërë thirrje për kthimin e tyre në institucione, por kam bërë thirrje disa herë për aplikim të ri të gjithë atyre që janë të interesuar, jo vetëm në politikë, por edhe shërbime publike, si polici, shëndetësi, arsim e kështu me radhë. Gjithë serbët e kanë të drejtën si qytetarë të vendit tonë dhe duhet të shfrytëzojnë atë. Por, atij që hodhi uniformën e Republikës së Kosovës s’i them dot të kthehet, ose atij që mori medalje në Beograd pas dorëheqjes. Por, të tjerët që janë të interesuar padyshim që e mirëpresim aplikimin e tyre. Me ato informata që kam nga Ministria e Brendshme sa vjen e rritet aplikimi i serbëve në këto kohë, madje edhe konvertimi i targave”, ka deklaruar Kurti.
Në anën tjetër, Kurti ka shtuar se nuk ka mundur të takojë ende deputetin e LVV-së, Fatmir Humollin, kur është pyetur për deklaratat e tij se ka vendosur të qëndrojë në Kuvend si deputet i pavarur.
/TV Arbëria