Gjatë fjalimit të tij, të cilin e transmetoi zyra e kryeministrit, Kurti ka thënë se rrëfimet e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dëshmojnë se të gjitha plagët kërkojnë edhe kujdes shoqëror edhe drejtësi shtetërore.
Më tutje, Kurti ka thënë se mbështetja ndaj të mbijetuarave të dhunë seksuale është obligim e detyrë e përbashkët, që kërkon përkushtim të përhershëm.
“Rrëfimet e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dëshmojnë se të gjitha plagët kërkojnë edhe kujdes shoqëror edhe drejtësi shtetërore. Na përkujtojnë se mbështetja ndaj të mbijetuarave është obligim e detyrë e përbashkët, që kërkon përkushtim të përhershëm. Zëri i tyre është thelbësor në proceset tona të drejtësisë tranzicionale, që njohin dhembjen e së kaluarës dhe inkurajojnë për shpresë drejtë së ardhmes”, ka thënë ndër tjerash Kurti.
Kurti tutje ka thënë se paqja nuk mund të arrihet pa gjithëpërfshirje. Ai ka shtuar se Qeveria e tij është e përkushtuar që gratë dhe vajzat, nga çdo komunitet, të kenë të njëjtat mundësi dhe mbështetje.
“Paqja nuk mund të arrihet pa gjithëpërfshirje. Ne e njohim rëndësinë e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të grave, që ato të dëgjohen e që pikëpamjet e tyre të respektohen. Diversiteti që kemi në Kosovë, është pasuri e potencial i përbashkët për shtetin tonë, me mundësi të barabarta për secilën e secilin. Një shoqëri që vlerëson çdo zë, çdo kontribut dhe çdo ëndërr të të gjithë qytetarëve. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që gratë dhe vajzat, nga çdo komunitet, të kenë të njëjtat mundësi dhe mbështetje”, ka thënë ndër tjerash Kurti.