Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka mbajtur mbledhje me kryetarët dhe sekretarët e qendrave të kësaj partie në Kosovë e mërgatë.
Në këtë takim, VV-ja bëri të ditur se është diskutuar situata politike e çështjet organizative të kësaj partie.
Sipas VV-së, gjatë qeverisjes së tyre që në mars bëhen dy vjet, “s’ka korrupsion, ka investime, reforma në sistemin institucional e përfaqësim dinjitoz si asnjëherë më parë në politikën e jashtme”.
“Çështjet organizative kanë marrë theks të veçantë trajtimi përgjatë kësaj mbledhje, ku ndarazi janë diskutuar kalendari vjetor i aktiviteteve në qendra, themelimi i nënkomiteteve profesionale në qendra dhe ndërlidhja e tyre me komitetet qendrore”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Më tej, VV-ja paralajmëroi dinamikë më të madhe pranë komunitetit ku strukturat e tyre janë të shtrira./TV Arbëria