Për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore të Kosovës, si dhe takimin e javës së ardhshme në Bruksel, kryeministri Albin Kurti ka biseduar me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicolas Abbott.
Sipas komunikatës së Qeverisë, me diplomatin britanez është diskutuar edhe për kalimin me sukses të fazës së parë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Mbajtja e zgjedhjeve në komunat veriore me 23 prill dhe takimin i radhës i nivelit të lartë politik në Bruksel me 2 maj, ishin po ashtu tema të bisedës. U theksua rëndësia e mbajtjes së zgjedhjeve, të cilat kaluan pa incidente, por në anën tjetër edhe shqetësimi për kërcënimet, frikësimet dhe presionet që çuan në pjesëmarrje të ulët. Sa i përket pritjeve nga takimi i javës së ardhshme në Bruksel, ai tha se pret angazhim konstruktiv që siguron zbatim pa vonesë e të plotë të të gjitha neneve të dakorduara”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
/TV Arbëria