Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me zëvendëskryeministrin e Polonisë, Krzysztof Gawkowski. Ata kanë biseduar për marrëdhëniet ndërshtetërore dhe për sektorin e teknologjisë për thellimin e tyre dhe përfitimin e dyanshëm.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri i Polonisë, Krzysztof Gawkowski njëherësh ministër i Çështjeve Digjitale, zhvilluan sot takim bilateral, gjatë të cilit diskutuan për marrëdhëniet ndërshtetërore dhe potencialin që sektori i Teknologjisë paraqet për thellimin e tyre dhe përfitimin e dyanshëm. Me këtë rast, kryeministri Kurti ndau me zëvendëskryeministrin Gawkowski përparësitë që vendi ynë ofron në këtë sektor dhe ofertën që paraqet për kompanitë dhe investitorë nga Polonia.”
Po ashtu është folur për bashkëpunimin në fushën e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike.
“Gjatë takimit u theksua vullneti për të bashkëpunuar në fushën e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike. Zëvendëskryeministri Gawkowski e përgëzoi Kosovën për vëmendjen dhe investimet në këto dy fusha.”
Kurti dhe Gawkowski diskutuan “për përgatitjet dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve gjatë Presidencës polake të Këshillit të Bashkimit Evropian në pjesën e parë të vitit 2025”.