Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kurti: S’ka problem ndëretnik me serbët, ka vetëm barrierë gjuhësore, gjithnjë e më pak shqiptarë që flasin serbisht

Kurti: S’ka problem ndëretnik me serbët, ka vetëm barrierë gjuhësore, gjithnjë e më pak shqiptarë që flasin serbisht

Kryeministri Albin Kurti, u pyet në Shkup për një deklaratë të zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut për marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, Ivan Stoiljkoviq që u citua të ketë thënë se serbët po terrorizohen nga Qeveria e Kosovës.

Kurti, në konferencën e përbashkët për media pas takimit me kryeministrin maqedonas, Hristjan Mickoski, u shpreh i painformuar për këtë deklaratë, por tregoi të drejtat që i gëzojnë serbët.

“Nuk e paskam lexuas as dëgjuar këtë deklaratë. Vetëm ajo çfarë mund të them është që është e vërtetë që nuk jam kryeministër vetëm i shqiptarëve në Kosovë. Shqiptarët njëmend janë rreth 93%, por ne i kemi rreth 4% serbë, përveçse kemi pakica të tjera, boshnjakë, turqë, ashkali, egjiptianë, romë. Kemi edhe pak kroatë e malazezë dhe me të gjithë bashkëpunoj”, tha Kurti.

Pasi përmendi ulëset në Kuvend dhe të drejtat tjera, ai tha se në Kosovë s’ka problem ndëretnik. Por tha se është “një barrierë gjuhësore”.

“Kemi sfidë që na vjen nga fqinji ynë verior. Nuk mund të them që ka në Kosovë problem ndëretnik. Ka barrierë gjuhësore, sepse me kalimin e viteve në këtë shekull gjithnjë e më pak shqiptarë dinë të flasin serbisht, ndërkohë që brezi im është ndër të fundit që e ka mësuar në shkollë serbo-kroatishten. Pra, ka një barrierë gjuhësore, por unë nuk do të thosha që ka hendeqe ndëretnike”, tha Kurti.

Me serbët, ai tha se “bashkëpunojmë mirë”.

Powered by WordPress