Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kurti: Sikur sulmi të arrinte qëllimin, pasojat do të ishin marramendëse

Kurti: Sikur sulmi të arrinte qëllimin, pasojat do të ishin marramendëse

Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media ka thënë se pesha e sulmit mbi kanalin e Iber-Lepencit po të arrinte qëllimin do të ishte marramendës.

“Po të arrihej qëllimi ky sulm terrorist do të lente pa energji mbi gjysmën e popullatës dhe pa ngrohje mbi 130 mijë qytetarë të Prishtinës. Pastaj do të mbeteshin pa ujë shumë komuna dhe do të rrezikoheshin mbi 300 mijë qytetarë edhe në kryeqytet”.

Ai tha se dëmet direkte do të ishin së paku 2.5 milionë euro në ditë për import të energjisë elektrike e 100 mijë euro tjera në ditë për ujë.

Kryeministri thotë se megjithatë qëllimi i sulmit ishte çrregullimi i jetës së qytetarëve.

“Sulmi duket se ka lidhje me ato që i kryen Rusia në Ukrainë, pikërisht kundër infrastrukturës energjetike në Ukrainë”.

Kurti ka përmendur se në aksionin e djeshëm të policisë janë gjetur edhe emblema ushtarake ruse të kohërave të ndryshme.

“Serbia po i kopjon metodat ruse për të kërcënuar rajonin tonë, por edhe kjo do të dështojë pasi jemi mbështetur në vlerat demokratike perëndimore”.

Ai tha se Kosova është shembull për rajonin sa i përket mbrojtjes së pakicave.

Kryeministri tha se deri më tani vendi është përballur me sulme hibride e kibernetike, derisa sipas tij tashmë kanë ndodhur edhe sulmet kinetike.