Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se Serbia vazhdimisht kërcënon dhe kësisoj Kosova po ndërmerr masa dhe po përgatitet, që nëse “vendosin të na sulmojnë, të dështojnë”.
Ai tha se në tri vitet e fundit janë shtuar 1852 ushtarë dhe është trefishuar shpenzimi për armatim e municion.
“Serbia vazhdimisht bën kërcënime dhe nuk e dimë kur do t’i matrializojë ato, ndërkaq përvoja dhe historia na mësojnë që ai që bën kërcënime një ditë edhe i aktualizon. Duhet të jemi vigjilentë e të përgatitur, prandaj edhe po e forcojmë ushtrinë tonë e kemi hequr tavanin për numrin e ushtarëve e kemi zgjeruar moshën e ushtarëve nga 23 në 25 vjeç. Për tri vitet e kaluara i kemi shtuar 1852 ushtarë ne FSK dhe 600 ushtarë të rinj sivjet. Nga SHBA po blejmë raketa anti-tank Javelin, ndërkaq nga Republika e Turqisë po blejmë dronë Bayraktar dhe përveç kësaj e kemi katërfishuar numrin e trajnimeve për ushtarë e oficierë jashtë vendit, është trefishuar shpenzimi për armatim e municion e ndërkohë është dyfishuar buxheti për mbrojtje, këto po i bëjmë se ekziston kërcënimi real nga Serbia e shpeshherë i shoqëruar edhe nga Rusia”, tha Kurti.
“Serbia nuk distancohet nga Millosheviqi e Putini”, shtoi Kurti.