Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Kurti publikon letrën dërguar Hagës: “Ka ardhur koha që çlirimtarët të kthehen në shtëpi”

Kurti publikon letrën dërguar Hagës: “Ka ardhur koha që çlirimtarët të kthehen në shtëpi”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar me një postim të gjatë për përvjetorin e pestë të arrestimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në Hagë. Ai ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke theksuar se nuk ekziston më asnjë arsye ligjore apo morale që ata të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim.

Kurti kujtoi momentin e 5 nëntorit 2020, kur Rexhep Selimi, menjëherë pas homazheve te varri i Astrit Deharit, ishte dërguar në Hagë. Ai theksoi se pesë vjet pas atij momenti, arsyet për mbajtjen në burg vazhdojnë të përsëriten, megjithëse procesi i Prokurorisë ka përfunduar.

“Pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: ‘rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët’. Por Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim”, ka shkruar Kurti.

Ai tha se që nga dita e parë e ka konsideruar këtë proces të padrejtë dhe se si qeveri kanë punuar për lirimin e tyre, madje edhe përmes një letre drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, në shtator të vitit 2022.

“Si Kryeministër, zyra ime dhe unë kemi kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Në vijim po bashkëngjes letrën që i është dërguar znj. Trendafilova. E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës.”

Kurti shtoi se përgjigjja e marrë nga kryetarja e Gjykatës pas dy javësh nuk solli asnjë ndryshim në qëndrimet e saj, por kërkesat e Qeverisë së Kosovës për lirimin e tyre mbeten ende në fuqi.

“Kërkesat tona qëndrojnë akoma, e në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre,” përfundon postimi i Kurtit.