Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kurti priti komandantin e KFOR-it, diskutuan për largimin e suksesshëm të barrikadave

Kurti priti komandantin e KFOR-it, diskutuan për largimin e suksesshëm të barrikadave

Kryeministri Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe Ministrin Xhelal Sveçla, sot pritën në takim komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia dhe oficerë të tjerë të lartë të KFOR-it e të karabinierëve italianë në kuadër të Njësisë Multi-nacionale të Specializuar (MSU).

Bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) në shërbim të paqes dhe sigurisë, siç informoi qeveria, ishin në qendër të këtij takimi.

“Në veçanti, u trajtua largimi i suksesshëm i të 16 barrikadave të cilat po shkelnin rendin e ligjin dhe lirinë e lëvizjes për qytetarët në katër komunat në veri të Ibrit.”, u bë e ditur në komunikatë.

Kurti dhe Gjenerali Ristuccia u pajtuan për vazhdimin e komunikimit të shpeshtë dhe bashkëpunimit të rregullt në shërbim të ruajtjes së sigurisë, paqes dhe rendit publik në mbarë territorin e Kosovës dhe lirisë së lëvizjes, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim.

Në përmbyllje të këtij takimi, u shkëmbyen urimet për vitin e ri 2023.   /TV Arbëria

Themes by WordPress