Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Kurti pret në takim Komisionin për Integrim Evropian të Shqipërisë, merr përkrahje për aplikimin në BE

Kurti pret në takim Komisionin për Integrim Evropian të Shqipërisë, merr përkrahje për aplikimin në BE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur një delegacion të Komisionit për Integrim Evropian të Kuvendit të Shqipërisë, të kryesuar nga Kryetarja e këtij komisioni, Jorida Tabaku e i përbërë nga deputetë të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë. Delegacioni ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozi.

Në takim u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën integrimit evropian dhe politikës së jashtme dhe për nevojën e përhershme për bashkërendim dhe koordinim.

Delegacioni dha mbështetjen e tyre të plotë për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, të dorëzuar në dhjetor të vitit të kaluar, dhe në Këshillin e Evropës, të dorëzuar në maj të vitit 2022.

U bisedua gjithashtu edhe për marrëdhëniet e ngushta të dy vendeve dhe komunikimin e afërt ndërinstitucional, si dhe për zbatueshmërinë e marrëveshjeve bilaterale, me theks ato në fushën e ekonomisë dhe shkëmbimit tregtar.

Tabaku, në emër të delegacionit, e uroi kryeministrin Kurti për përvjetorin e 15-të të pavarësisë së Kosovës. Kryeministri Kurti i falënderoi deputetët për vizitën, bashkëpunimin e deritanishëm dhe për gatishmërinë për të bërë edhe më shumë në shërbim të thellimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Delegacioni në fjalë, i përbërë nga Jorida Tabaku, Flutura Açka, Kreshnik Çolaku, deputetë të Partisë Demokratike, Etilda Gjonaj, Gerta Duraku, Lavdrim Krrashi, deputetë të Partisë Socialiste dhe Erisa Xhixho, deputete nga Partia e Lirisë, po qëndron në Kosovë ku po zhvillon takime me përfaqësues institucionalë dhe liderë politikë.

/TV Arbëria

 

Powered by WordPress