Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot kafen e mëngjesit e ka pirë me stafin civil të Zyrës së Kryeministrit.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka postuar shumë fotografi të kësaj “ndeje”.
Shefi i qeverisë aty shihet duke buzëqeshur me zyrtarët në fjalë, por sjellja e stafit politik të tij nuk ishte në nivelin e duhur në raport me stafin civilë të Zyrës së Kryeministres.
Vitin e kaluar, gazeta Nacionale ka raportuar për presionin e madh që stafi politik ka bërë ndaj stafit civil.
Vetë Zyra e Kryeministrit të Kosovës e kishte konfirmuar për gazetën se gjatë vitit 2022 dhe 2023 kanë dhënë dorëheqje 27 zyrtarë.
Kjo zyre kishte treguar se nga cilat departamente janë larguar këta zyrtarë.
“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se nga Zyra e Kryeministrit e kanë përfunduar marrëdhënien në shërbimin civil si në vijim: Në vitin 2022 janë 7 dorëheqje, në vitin 2021 janë 4 dorëheqje. Ndërkaq, në Departamentin për Integrim Evropian, (ish-MIE) në kuadër të ZKM-së, në vitin 2021 kanë dhëne dorëheqje 6 zyrtarë. Në vitin 2022 kanë dhënë dorëheqjen 11 zyrtarë”, është thënë në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit për gazetën Nacionale.
Kurse, burimet e gazetës Nacionale kishin bërë me dije se këto dorëheqje kanë ndodhur si rezultat i presionit politik ndaj shërbyesve civile.
Njëri nga të larguarit, në kushte anonimiteti, i ka thënë gazetës se nuk ka mundur ta durojë presionin, prandaj ka vendosur të lerë punën.
“Me ardhjen e qeverisë së re ka filluar edhe presioni ndaj shërbyesve civil. Presioni është bërë në mënyra të ndryshme, të cilat unë nuk kam mundur me i duru dhe kam vendosur të dorëhiqem”, ka thëne burimi.
Kryeministri Albin Kurti ka bërë me dije se stafin civil e ka takuar për t`i falënderuar për punën që po e bëjnë.
“Një kafe e mëngjesit me stafin civil të kryeministrisë, për një ditë të mirë e si falënderim për punën e mbarë”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.