Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen komemorative për policin e vrarë, Afrim Bunjaku.
Kurti ka shtuar se dita e djeshme na ka mbledhur sot këtu për të nderuar veprën e Afrim Bunjakut, pjesëtarit të policisë të rënë në krye të detyrës.
“Sot është ditë zie në Kosovë, e bashkë me pikëllimin dhe dhimbjen ndjejmë edhe krenari dhe besim për Afirimin dhe të gjithë policët e tjerë. Për policinë tonë që me veprimet e saj profesionale dhe të guximshme dje e pamundësuan një skenarë më të gjerë kriminal e terrorist”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se “Afrimi u vra në një sulm ndaj policisë së Kosovës dhe shtetit tonë”.
“Ky sulm u realizua nga një grup personash shumë të armatosur dhe të pajisur rëndë, të trajnuar profesionalisht dhe me plan dhe të përkrahur politikisht dhe të financuar materialisht dhe të mbështetur logjistikisht nga Serbia. Reagimi profesional i policisë tonë rezultoi me eliminimin e disa terroristëve, arrestimin e disa të tjerëve dhe neutralizimin e të gjithë grupit të tyre, dhe konfiskimin e armatimit”, u shpreh Kurti.
Kryeministri shtoi se nga dje asgjë nuk mund të jetë njësoj.
“Faktet dolën në sytë tanë dhe në sytë e ndërkombëtarëve”, shtoi ai.
/TV Arbëria