Kryeministri Albin Kurti, ka përkujtuar Diturije Deliun e cila i kishte mbijetuar masakrës në Abri të Epërme, por pastaj kishte ndërruar jetë.
Kurti në një postim në Facebook tha se Diturija ishte fshehur nën trupin e nënës Lumnije.
“Diturije Deliu do të festonte sivjet ditëlindjen e 25-të. Ishte e vetmja që i mbijetoi masakrës së 26 shtatorit 1998. I kishte gjashtë javë. Forcat e armatosura serbe ia masakruan 22 anëtarë të familjes. Ajo u gjetë e gjallë. Fshehur nën trupin e nënës Lumnije. Nënës mburojë. E mbijetuara e masakrës në Abri të Epërme nuk mbijetoi. Ajo vdiq më 19 nëntor, rrugës për në fshatin Tërdec, gjersa gjyshi i saj, Bajram Fejza dhe halla e saj, Bedrie Deliu Fejza, po e dërgonin për në spitalin ushatarak të UÇK-së. I kishte vetëm 95 ditë.”, është shprehur Kurti.
Ai ka shkruar se krimet e Serbisë në Kosovë janë të paharruara dhe të pafalshme.
“Diturija është foshnja që fle. Përjetësisht. Kështu është përjetësuar në pllakën përkujtimore. I përjetshëm është kujtimi për të. Të paharruara e të pafalshme janë krimet e Serbisë në Kosovë”, ka shkruar Kurti.
/TV Arbëria