Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > ​Kurti për zgjedhjet e reja: Serbia s’mund të vendosë për Kosovën

​Kurti për zgjedhjet e reja: Serbia s’mund të vendosë për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot deklaroi se Serbia nuk mund të vendosë për Kosovën, kur u pyet se ai sheh zgjedhjet e përgjithshme si lloj referendumi për Asociacionin.

Ai u shpreh se Asociacion njëetnik në Kosovën me Kushtetutë shumëetnike nuk është e mundshme.

Kurti: Çfarë zgjedhjesh, s’mund të vendosë Serbia për Kosovën

“Çfarë zgjedhjesh. Zgjedhje në vitin 2022 ka pasur në Lëvizjen Vetëvendosje, në vitin 2021 ka pasur zgjedhje parlamentare dhe zgjedhje lokale. Nuk mund të vendosë Serbia për Kosovën. Së shpejti e kremtojmë 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë dhe ne jemi krenarë me të arriturat, sidomos në dy vitet e fundit. Ju e patë dje Transparency International tregoi që në dy vitet e fundit për 20 vende jemi më lartë sa i përket luftimit të korrupsionit dhe rrjedhimisht edhe i imazhit të vendit. Andaj, ne e kemi thënë gjerë e gjatë qëndrimin tonë për Asociacionin për komunat me shumicë serbe. Asociacion njëetnik në Kosovën me Kushtetutë shumëetnike nuk është e mundshme.”, tha Kurti, duke shtuar se Kosova e ka Asociacionin e komunave të Kosovës.

Ndër të tjera, kryeministri Kurti u shpreh se nuk mund ta konpensojnë Serbinë për luftën e humbur në vitin 1999, por shtoi se ajo duhet t’i kompensojë Kosovës për dëmet e shkaktuara edhe në njerëz edhe në të mira materiale.

Ai potencoi se shumë ma tepër ka shqiptarë në Serbi se serbë në Kosovë, derisa tha se nëse Serbia dëshiron që të ketë zgjedhje njëetnike, le ta provojë njëherë në shtëpinë e saj.

Kurti: Nëse Serbia dëshiron të ketë zgjedhje njëetnike, ta provojë në shtëpinë e saj

“Pakicat kombëtare në Serbi janë gati 20 për qind, pakicat kombëtare në Kosovë janë rreth 7 për qind, pra Asociacion i komunave me shumicë serbe në Kosovë e Presheva, Medvegja e Bujanovci ta kenë vetëm atë Këshillin Nacional atje, është e padrejtë, e dëmshme edhe e paparanueshme. Nëse Serbia dëshiron që të ketë zgjedhje njëetnike, le ta provojë njëherë në shtëpinë e saj.”, shtoi ai.

Ndërsa, sa i përket vlerës së koeficientit, Kurti u shpreh se nga viti në vit, 20-25 milionë euro është rritur totali i pagave në sektorin publik dhe tha se kësaj radhe e kanë rritur 105 milionë euro, që sipas tij, është rritja më e madhe ndonjëherë në Kosovën e pavarur.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka prezantuar vlerën e një keoficienti për pagat në sektorin publik, i cili pritet të jetë 105 euro për vitin 2023. Lidhur me koeficientin e pagave, gjatë ditës pati shumë reagime./TV Arbëria

Themes by WordPress