Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se për ushtrinë do të ndahen mbi 1 miliard euro brenda mandatit të ardhshëm dhe paralajmëroi zhvillimin e dronëve ushtarakë “Made in Kosova”.
Kurti i cili dje u votua unanimisht nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje si mandatar për formimin e qeverisë së re, gjatë fjalimit të tij tregoi se si do të funksionalizohet Fabrika e Municioneve, si dhe do të krijohet Njësia ushtarake e përbashkët me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
“Për ushtrinë tonë në katër vitet e mandatit të ardhshëm do të ndajmë buxhet mbi 1 miliardë euro.
Do të thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin ndërkombëtar bilateral dhe multilateral me shtetet anëtare të NATO-s. Funksionalizimin e Fabrikës së Municioneve dhe zhvillimi i industrisë ushtarake të Kosovës. E gjithashtu do të zhvillojmë dronët ushtarakë “Made in Kosova”. Do ta krijojmë Njësinë ushtarake të përbashkët me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Rekrutimi i kadetëve të rinj do të vijojë me ritëm të shtuar. Synojmë që brenda mandatit të ri të kemi 1000 gra e vajza ushtarake. Programi i Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse do të zbatohet në të gjithë vendin. Në kuadër të këtij programi secili rezervist vullnetar do ta ketë trajnimin adekuat si dhe armatimin në rast mobilizimi”, tha më tej Kurti.