Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Kurti për The Guardian: Bisedimet me Serbinë kanë arritur në një rrugë pa krye

Kurti për The Guardian: Bisedimet me Serbinë kanë arritur në një rrugë pa krye

Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë bërë aq të njëanshme sa kanë arritur në një rrugë pa krye.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, siç citon mediumi prestigjioz britanik, The Guardian.

Sipas mediumit në fjalë, më shumë se një dekadë e përpjekjeve ndërmjetësuese të udhëhequra nga evropianët kanë dështuar në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe Beogradi ende refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008.

Dhe të dielën, tensionet u rritën sërish pas vrasjes së një polici dhe plagosjes së një tjetri në veri të Kosovës (së paku deri në publikimin e lajmit).

Siç vë në pah ky medium, kryeministri Kurti tha në një intervistë për The Guardian të dhënë para dhunës së kësaj fundjave se paqëndrueshmëria e vazhdueshme e kishte bërë rajonin “një shesh lojërash për lojërat gjeopolitike të Federatës Ruse dhe Republikës Popullore të Kinës”.

Kurti e përshkroi takimin e fundit të dështuar më 14 shtator mes tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, si një debakël dhe tha se i dërguari special i BE-së, Miroslav Lajçak, kishte “humbur neutralitetin”.

Ai e ka akuzuar Vuçiqin për ofendime ndaj tij gjatë bisedimeve, të cilat ai tha se ishin bërë një dukuri e rregullt pa asnjë përpjekje nga ndërmjetësit për ta ndaluar atë.

“Ai shpesh gjatë këtyre dy viteve ofendon dhe shan serbisht”, tha Kurti. “Kam kërkuar nga ndërmjetësit ta ndalojnë dhe ta dënojnë, por kjo nuk ndodh kurrë”.

Kurti nuk ka specifikuar se çfarë epitetesh ka përdorur presidenti serb kundër tij, por diplomatët kosovarë thanë se një nga fjalët fyese të përdorura në takimet e mëparshme ishte “shiptar”, një fyerje etnike në serbisht për t’iu referuar shqiptarëve.

/TV Arbëria

Powered by WordPress