Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka kujtuar 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, masakër në të cilën u vranë 8 mijë e 372 burra e djemë boshnjakë nga forcat serbe.
Kurti ka thënë se për Kosovën Srebrenica është një pikëllim i dyfishtë, duke paralajmëruar fushatën gjenocidale që do të ndodhte në vendin tonë menjëherë pas kësaj.
Ai ka shtuar se nderimi i Srebrenicës do të thotë të nxjerrësh mësimet e saj.
“Gënjeshtrat e përdorura për të justifikuar krime të tilla ende rishfaqen dhe kur autorët mohojnë përgjegjësinë, rreziqet e dhunës së ripërtërirë mbeten. “Ecja përpara” e vërtetë do të thotë këmbëngulja për të vërtetën, drejtësinë dhe guximin politik për të parandaluar përsëritjen e historisë.”, ka shkruar ai në “X”.