Kryeministri Albin Kurti, sot deklaroi se shumë shpejt do ta kenë qëndrimin lidhur me vendimin e organit shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP), që lejon blerjen e barnave pa autorizim marketing, por u shpreh se presin që zbatimi i ligjit dhe i rregullave të jetë në shërbim të interesit publik.
Ai, në konferencë për media, tha se është hera e tretë që e emëron ministër të Shëndetësisë, Arben Vitinë dhe shtoi se mbase, e treta e vërteta.
Kurti: Vendime në përputhje me ligjin, por në shërbim dhe interes të publikut
“Sa i përket vendimit të OSHP-së, ne si qeveri e Republikës nuk është se preferojmë t’i komentojmë vendimet e organeve shtetërore, mirëpo ne presim që zbatimi i ligjit dhe i rregullave të jetë në shërbim të interesit publik. Tash e kemi e kemi sërish ministër z.Arben Vitinë, është hera e tretë që e emëroj, dhe e treta e vërteta mbase… Andaj, ne duhet padyshim që ta mbrojmë interesin publik, atëherë kur ky nuk është rasti, por për këtë çështje konkrete, besoj që ministria, qeveria shumë shpejt do ta kenë qëndrimin e vet. Por, unë edhe një herë po e theksoj që po, vendime në përputhje me ligjin dhe rregullat, por gjithmonë në shërbim dhe në interes të publikut.”, u shpreh Kurti. /TV Arbëria