Kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se takimi i djeshëm në Bruksel ishte pozitiv dhe se u konfirmua që “kemi të bëjmë me një platformë solide për të ecur përpara”.
Ai tha se ka qenë maksimalisht transparent për procesin e dialogut dhe se është i gatshëm të shkojë në Kuvend për të raportuar rreth takimit të djeshëm.
“Nuk kam hequr nga asnjë qëllim, nuk jam në çfarëdo rruge tjetër përveç asaj, në të cilën janë zhvilluar dhe që është e përbashkët. Pra, normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bëhet me njohje reciproke dhe me reciprocitetin si princip. Pra, në të gjitha çështjet të cilat do t’i trajtojmë. Besoj që dje ka qenë një takim pozitiv, nuk e kemi ende normalizimin e plotë, por ajo çfarë mund të them është se u konfirmua që kemi të bëjmë me një platformë solide për të ecur përpara dhe gjithçka që na mundëson ecjen përpara është pozitive. Diskutimet do të vazhdojnë, sepse do të kemi tash negociata për planin e zbatimit, por besoj që është koha që qytetarët, politikanët, zyrtarët, ekspertët e profesionistët ta lexojnë vetë këtë tekst…Kam qenë maksimalisht transparent për procesin, jam i gatshëm të shkojë në Kuvend të Republikës çdoherë kur deputetët e konsiderojnë këtë të nevojshme.”, tha Kurti.
Ai me përgjegjësi të plotë u shpreh se nuk janë duke bërë, as gabime, as devijime.
Kurti tha se ata ishin të vetëdijshme për kushtet e tij për Asociacionin.
I pyetur se a e shtynë mosnënshkrimi i planit franko-gjerman marrëveshjen përfundimtare, Kurti vijoi se synimi i Brukselit është që të përfundojë në këtë muaj.
“Synimi i Brukselit është që të përfundojë në këtë muaj, në kuptimin e planit të zbatimit, po natyrisht që do të ketë shumë punë edhe të tjera, meqenëse çështjet siç e keni parë ato 10 nene janë të shumta, andaj aty do të ketë shumë punë e angazhim, do të ketë shumë bisedime jo të kollajshme, por qëllimi i Brukselit është që brenda muajit mars të arrijmë në një takim të radhës të nivelit të lartë që është si lloj kurorëzimi i diplomacisë fluturuese të z.Lajçak dhe në këtë mënyrë rezultatet e prekshme të jenë edhe në këtë muaj.”, shtoi Kurti.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje nga diskutimet me palën serbe dhe ndërmjetësuesit, një ditë pas takimit të nivelit të lartë në Bruksel.
Në një komunikatë për media, është potencuar se është arritur dakordimi që teksti i propozimit të BE-së, mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mos ndryshojë. Është theksuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë për nënshkrimin e marrëveshjes bazë Kosovë – Serbi. Po ashtu, është potencuar se Serbia nuk ka qenë e gatshme ta nënshkruajë propozimin e BE-së.
Dje, në Bruksel është mbajtur takimi i gjashtë i nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut, kryeministri Kurti ka thënë se Kosova ka treguar gatishmëri për të nënshkruar planin evropian, porse Serbia nuk ka qenë e gatshme.
Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet gjatë muajit mars. /TV Arbëria
Osmani për takimin në Bruksel: Dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta