Pas një takimi mbi dyorësh me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, deklaroi se diskutuan gjerësisht rreth konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit, pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, shkrun TV Arbëria
“Diskutuam gjerë e gjatë me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, lidhur me konstituimin e Kuvendit të Republikës në dritën e Aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese. Afatet po rrjedhin. Në javën e fundit të korrikut duhet që ta konstituojmë legjislaturën e nëntë,” theksoi Kurti.
Ai shtoi se janë të përkushtuar që ky proces të zhvillohet në frymën e bashkëpunimit dhe me konsultime konstruktive:
“Do të bëjmë çmos që, në frymën e bashkëpunimit, me konsultime të dendura dhe konstruktive dhe gjithashtu me idenë e konsensusit apo kompromisit, ta realizojmë këtë gjë – në mënyrë që më pas të kalojmë te formimi i qeverisë së re që i përgjigjet Kuvendit të ri të Republikës.”
Kurti theksoi gjithashtu se duhet të pritet edhe për takimet e partive të tjera gjatë ditës me presidenten Osmani dhe të shihet progresi.
“Zonja Presidente gjatë ditës do të ketë takime edhe me përfaqësues të partive tjera politike dhe mbase në fund mund të shohim se a kemi bërë përparim, sa kemi bërë përparim dhe sa është i mjaftueshëm një përparim i tillë,” tha ai, duke shtuar se:
“Le t’i japim shansin edhe takimeve tjera deri në fund për të parë se cili është progresi për të cilin jemi të interesuar të gjithë.” /TV Arbëria