Albin Kurti ka deklaruar se është shumë optimist se një marrëveshje që çon në normalizimin e plotë midis Kosovës dhe Serbisë mund të ndodhë këtë vit.
Kryeministri i Kosovës për FRANCE24 shprehu keqardhjen që marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “nuk janë normale” dhe pretendoi se Beogradi është izoluar duke mos u shkëputur nga Kremlini.
Gjatë Konferencës vjetore të Sigurisë në Mynih, kryeministri i Kosovës po ashtu tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në një masë të madhe përdoret nga Putini. Kurti beson se lideri serb ndonjëherë bën një gjest që tregon se ndoshta ai nuk është plotësisht në linjë me Putinin sepse dëshiron të marrë fondet e BE-së dhe tolerancën e SHBA.
Kjo vjen sipas tij, pasi ekonomia serbe, edhe pse kryesisht e varur nga nafta dhe gazi rus, është gjithashtu e lidhur me Perëndimin.
Duke iu kthyer luftës në Ukrainë, Kurti tha se Perëndimi duhet të sigurojë ndihmë shtesë për forcat ukrainase. Ai shtoi se kishte frikë nga sulmet e mundshme të mercenarëve të “Grupit Wagner” kundër Kosovës. “Vendi i tij mbetet vigjilent, por nuk ka frikë“, përfundoi ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të takohen me 27 shkurt, në Bruksel.