Prokuroria Speciale ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në lëndën “PPS.nr.62/2023”, në një rast që ka të bëjë me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, shkruan TV Arbëria.
Këtë lajm e kishte bërë publik zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, duke i hedhur edhe disa kritika ndaj sistemit të drejtësisë.
“Teksa kryeministri Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë nga koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet e vitit 2025, nga kryeministria më njoftuan se ka ardhur një ftesë për të nga Prokuroria Speciale”, ka shkruar Kryeziu në facebook.
Kurti u ftua që me datë 16 dhjetor(sot) të paraqitet në prokurori lidhur me dëshmin e tij. Por kryeministri sot nuk është paraqitur në prokurori, për këtë ka njoftuar edhe zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Koqmezi, duke thënë se Kurti ka njoftuar se ndodhet jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet.
Zëdhënsja njoftoi se për kryeministrin do të përgatitet një ftesë e re në një datë që ende nuk është caktuar.
“Zyra e Kryeministrit ka njoftuar sot që kryeministri i Kosovës ndodhet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet”, ka deklaruar zëdhënsja e Prokurorisë Speciale sot para gazetarëve.
Gjithashtu edhe Përparim Kryeziu, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, është deklaruar për mosparaqitjen e Kurtit, duke thënë se Prokuroria është njoftuar se Kurti ndodhet jashtë vendit dhe thekson se kryeministri i fton prokurorët në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët.
“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, ka deklaruar zëdhënsëi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Reagimet:
Lidhur me këtë ftesë ka pasur reagime të shumta, edhe nga pushteti, ku ftesa ndaj Kurtit cilësohet tendencioze.
“Ftesa e prokurorisë ndaj Kurtit është jashtëzakonisht tendencioze”, kështu është shprehur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi këtë veprim e ka lidhur me fushatën zgjedhore.
“Pse kjo nguti i nderuar prokuror? Fushata fillon ne janar”, kishte shkruar Bislimi në facebook.
Ndërsa sipas gazetarit Vehbi Kajtazi, Kurti po pret që ta marrin me forcë nga Prokuroria Speciale.
“Si mund të kërkosh nga Milan Radojiçiqi që t’i dorëzohet drejtësisë së Kosovës, nëse kryeministri Albin Kurti refuzon të bashkëpunojë me drejtesinë e vendit te tij në cilësi të dëshmitarit? Ai pret që prokurorët ta marrin me forcë si dëshmitar, për t’u viktimizuar për vota”, ka shkruar Kajtazi në facebook.
Në anën tjetër mos paraqitjen e Kurtit si dëshmitar dhe ftesën që iu bëri prokurorëve në zyrën e tij, e ka komentuar edhe avokati Kujtim Kerveshi, ai është shprehur se kjo mund të jetë një na dramat e kryeministrit duke theksuar se kjo mund t’i konvenojë politikisht kryeministrit.
“Duke dashtë me i dhanë vëmendje Kurtit, Prokuroria Speciale ka rrezik që i jep arsye dhe material me ba drama Kryeministri Kurti të cilit kjo i konvenon politikisht shumë, ndersa afera e rezervave shteterore mbetet askund dhe pa interes si temë duke devijuar hetimi substancial i Prokurorisë Speciale e duke u “shkri” në dramën e Kurtit:, ka shkruar Kërveshi.
Këtë e ka komentuar edhe profesori i së Drejtës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ai ka deklaruar se Kurti e ka obligim ligjor të paraqitet para drejtësisë.
“Kryeministri e ka obligim ligjor që të paraqitet në Prokurorinë Speciale. Ai mund ta thirr kryeprokurorin në zyrën e vet për politikat e Prokurorisë, jo për rastin e vet sepse është absurde përndryshe të thirret në zyrën e Kryeministrisë, që supozohet dhe ka elemente të delokuencës”, ka thënë ai në RTK.
Sipas burimeve jo zyrtare Kurti u ftua si dëshmitarë për rastin e rezervave shtetërore. /TV Arbëria