Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në samitin e Bashkimit Evropian, që është mbajtur sot në Shkup, kushtuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Kurti ka folur para mediave, për sulmin në Banjskë ku u vra rreshteri Afrimi Bunjaku, derisa tha se ndaj Serbisë kanë vënë masa sigurie.
Kurti gjithashtu foli për planin për zgjerimin e Bashkimit Evropian, derisa tha se ky plan do të sjellë mbështetje financiare për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Ne kemi planin e rritjes i cili do të sjelle mbështetje financiare 6 miliardë euro për 6 vende të Ballkanit Perëndimor që duan të hyjnë në Bashkimin Evropian. Mbështetja financiare varet nga puna dhe performanca veç e veç, pra, nëse shtetet në procesin e Berlinit arrijnë diçka pozitive atëherë ajo bartet te plani i rritjes, por nëse pengojnë njëra –tjetrën nuk ka atëherë efekt plani i rritjes”, deklaroi Kurti para mediave.
Kurti u shpreh se anëtarësimi në BE është synim i Kosovës dhe i qytetarëve, ku përqindja është rreth 94%.
“Rajoni i Ballkanit duhet të integrohet, por nevojitet paqe dhe kërcënimet e sigurisë të pushojnë”, tha mes tjerash ai.
Kurti po ashtu ka falënderuar BE-në, SHBA-të dhe Maqedoninë e Veriut për këtë takim të rëndësishëm, që sipas tij do të mundësojnë sa më shumë bashkëpunim rajonal por edhe ecje më të përshpejtuar drejt BE-së.