Shkruan: Basri Beka
Deklarata e Albin Kurtit para zonjës Marta Kos nuk ishte thirrje për drejtësi, por presion publik ndaj sistemit të drejtësisë dhe përpjekje për të ndikuar në vendimmarrjen e prokurorisë dhe gjykatave. Kjo është e papranueshme në një shtet demokratik.
Kur një kryeministër del publikisht dhe u thotë prokurorëve e gjyqtarëve “ta shohim çfarë dënimi do të jepni”, ai nuk po kërkon drejtësi — ai po dërgon mesazh politik dhe po tenton ta frikësojë sistemin e drejtësisë para kamerave dhe ndërkombëtarëve.
Më absurdja është se Albin Kurti vazhdon të shesë narrativën se “drejtësia është e kapur”, ndërkohë që vet pushteti i tij, në këto vite qeverisje, ka emëruar dhjetëra prokurorë e gjyqtarë. Nëse prokuroria sot dështon, atëherë ky është edhe dështim i drejtpërdrejtë i qeverisë së tij, sepse nuk mund të kontrollosh emërimet, të ndikosh sistemin për vite dhe pastaj të dalësh si opozitar që ankohet kundër drejtësisë.
Ky standard i dyfishtë është bërë i neveritshëm. Kur dhuna ndodh ndaj njerëzve të pushtetit, kërkohet mobilizim spektakolar i shtetit. Kur qytetarët e zakonshëm përballen me padrejtësi, heshtje totale. Kurti po e përdor një incident për propagandë politike, për viktimizim dhe për sulm ndaj institucioneve që vet i ka mbushur me njerëzit e tij.
Shteti ligjor nuk ndërtohet me konferenca shtypi, as me kërcënime publike ndaj gjyqtarëve. Drejtësia nuk mund të funksionojë nën presionin e pushtetit dhe as sipas nevojave propagandistike të një partie politike.
Kosova nuk ka nevojë për liderë që sulmojnë institucionet sa herë nuk u pëlqen rezultati. Ka nevojë për përgjegjësi, standarde të barabarta dhe fundin e mashtrimit politik me “drejtësinë e kapur”, sepse ajo propagandë nuk shitet më.
Postimi i plotë