Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kurti nga Skivjani: Më 12 tetor Gjakova meriton një udhëheqës si Ardian Gola

Kurti nga Skivjani: Më 12 tetor Gjakova meriton një udhëheqës si Ardian Gola

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur përkrahjen e tij për kandidatin për kryetar të Komunës së Gjakovës, profesor Ardian Gola, gjatë një vizite në fshatin Skivjan. Në një postim publik, Kurti tha se Skivjani është shembull i qëndrueshmërisë dhe unitetit, ndërsa theksoi se Gola është zgjedhja e duhur për ta udhëhequr jo vetëm këtë fshat, por gjithë komunën.

“Shtatë ditët e fundit deri në ditën e votimit janë vendimtare. Mbështetjen që e morëm në Skivjan duhet ta kthejmë në angazhim të palodhshëm, për të siguruar që Gjakova do të ketë një qeverisje të mirë, të udhëhequr nga një njeri i ndershëm dhe i dijshëm si Ardian Gola,” ka deklaruar Kurti.

Ai theksoi nevojën që Gjakova dhe fshatrat e saj të kenë më shumë vëmendje në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, zhvillimin e turizmit, ndërtimin e infrastrukturës sportive dhe përmirësimin e kushteve të jetesës, përmes investimeve si kanalizimet dhe shërbimet bazike.

Kurti nënvizoi gjithashtu se suksesi i qeverisjes në nivel qendror duhet të përcillet edhe në nivel lokal, për të siguruar që komunat si Gjakova të përparojnë dhe zhvillohen me një qasje të re dhe përgjegjëse.