Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm për Operacione të NATO-s, Thomas Goffus, i cili po zhvillon vizitë zyrtare në Kosovë.
Fillimisht, kryeministri Kurti e falënderoi Goffus për kontributin e vazhdueshëm e pozitiv të misionit të KFOR-it dhe NATO-s si dhe angazhimin në ruajtjen e paqes e sigurisë në vend dhe rajon.
Ai theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes institucioneve tona të sigurisë e mbrojtjes me KFOR-in e NATO-n dhe koordinimin e vazhdueshëm.
Kryeministri Kurti tha se progresi socio-ekonomik e demokratik i vendit ecën krah për krah me sundimin e rendit dhe ligjit, ndaj të cilave përkushtimi mbetet i palëkundur e në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.
I pari i Qeverisë tha se “gjatë këtyre tri vjetëve nën kërcënimet më të mëdha të sigurisë nga Serbia, kemi arritur progresin më të madh në demokraci dhe ekonomi ndërkohë që edhe kemi zmbrapsur kërcënimet e menaxhuar suksesshëm sfidimin e sigurisë dhe paqes në vendin tonë. Ne mbrojmë jo vetëm qytetarët e territorin, sovranitetin dhe demokracinë, pavarësinë dhe lirinë, por edhe progresin e prosperitetin tonë”.
Kryeministri Kurti e falënderoi Goffus për vizitën e bisedën e zhvilluar.
Prezent në takim ishin dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.