Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Kurti në takim me biznese nga Austria: Kosova atraktive dhe destinacion për investitorë

Kurti në takim me biznese nga Austria: Kosova atraktive dhe destinacion për investitorë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim delegacionin e bizneseve nga Austria – në kuadër të programit “Mundësitë në Projektet e Energjisë në Kosovë”.

Kurti në adresimin e tij veçoi përparësinë që Qeveria po i jep investimeve dhe zhvillimit të potencialit të rëndësishëm të energjisë së rinovueshme të vendit, njofton Zyra e Kryeministrit.

“Duke folur për Stategjinë e Energjisë që u miratua së fundmi në Kuvend, ai njoftoi delegacionin e pranishëm se Qeveria synon që brenda 10 viteve të diversifikojë energjinë përmes shtimit të 1300 megavateve të reja të instaluara nga burimet e ripërtëritshme të energjisë. Një komponent i rëndësishëm i nevojshëm për ndërtimin e infrastrukturës energjetike të së ardhmes është pjesëmarrja e sektorit privat, shtoi ai. Ai tha se gjatë dy viteve të fundit, vazhdimisht është punuar në përmirësimin e mjedisit të biznesit në Kosovë, duke e bërë atë një nga më konkurrentët në rajon. Procedurat e lehta dhe të shpejta të regjistrimit të biznesit, politikat e favorshme tatimore, sistemi ligjor dhe ligjet transparente për investimet e huaja, krahas pozitës shumë të mirë gjeografike, fuqisë së re punëtore dhe progresit demokratik në vend, ishin disa prej veçorive që kryeministri Kurti i përmendi para përfaqësuesve të bizneseve, e që e bëjnë Kosovën atraktive dhe destinacion të përshtatshëm për investitorë të huaj dhe vendorë, sidomos në fushën në burime të ripërtëritshme”, thuhet në njoftim.

Kurti ka theksuar se bazuar në indikatorët ekonomikë të dy viteve të fundit, Kosova po bëhet gjithmonë e më shumë ekonomi e bazuar nga eksporti. Më tej, tha se ai beson që historia e suksesit të Kosovës, që bashkëdyzon ekonominë dhe demokracinë, është platformë e rëndësishme për investitorë.

Ai e mirëpriti interesimin, vizitën dhe pjesëmarrjen e bizneseve nga Austria në nisma dhe programe si ky sot, dhe tjera që do të vijnë. /TV Arbëria

Powered by WordPress