Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kurti në Stamboll takoi afaristë shqiptarë që veprojnë në Turqi, i fton të investojnë në Kosovë

Kurti në Stamboll takoi afaristë shqiptarë që veprojnë në Turqi, i fton të investojnë në Kosovë

Gjatë qëndrimit në Turqi, përkatësisht në Stamboll, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë takoi afaristë shqiptarë e me prejardhje shqiptare nga sektorë të ndryshëm që veprojnë në Turqi.

Në një darkë të përbashkët, ai i njoftoi me progresin që Kosova ka shënuar në rrafshin ekonomik në tri vitet e fundit, duke theksuar rritjen për dyfish të investimeve të huaja dhe eksporteve, por edhe rritjen e të hyrave tatimore për 2/3, pa ndërruar politikën fiskale, por si rezultat i rritjes së besimit në institucione. Kryeministri gjithashtu veçoi mjedisin e favorshëm për investime në Kosovë, përfshirë këtu çmimin e lirë të energjisë elektrike, fuqinë punëtore profesionale, politikat fiskale dhe faktin që Kosova së fundmi ka marrë vlerësimin e saj të parë kreditor sovran nga Fitch Rating.

Teksa shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm e të rëndësishëm të mërgatës sonë në Turqi, ai u bëri thirrje përfaqësuesve dhe pronarëve të bizneseve që të vijnë në Kosovë, të hulumtojnë mundësitë që ofron vendi ynë dhe të investojnë. Ai këtë thirrje e bëri duke u ofruar mbështetjen e Qeverisë bashkë me infrastrukturën ligjore dhe mekanizmat shtetërorë në mënyrë që investimi të jetë i sigurt dhe fitimprurës.

Kryeministri i falënderoi të gjithë të pranishmit për mikpritjen e ngrohtë dhe për angazhimin e rolin e tyre të rëndësishëm në krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, përveçse kontributin e vazhdueshëm për vendlindje si mërgatë.

Në këtë darkë, përkrah kryeministrit ishin edhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, ambasadori i Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enis Kervan. /SYRI.net

Powered by WordPress