Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > ​Kurti në Prekaz: Sot ndërtojmë institucione pa harruar kujt ia kemi borxh lirinë

​Kurti në Prekaz: Sot ndërtojmë institucione pa harruar kujt ia kemi borxh lirinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me udhëheqësit e tjerë shtetërorë bëri sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në vazhdën e aktiviteteve për nder të 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kurti e quajti Prekazin kryeqytet të kryengritjes dhe tha se kthehen e rikthehen aty për ta kujtuar e përkujtuar Epopenë e lavdishme, e cila i dha hovin vendimtar UÇK-së dhe më pas mundësoi çlirimin dhe lirinë e vendit tonë.

Duke kujtuar sulmet në Prekaz dhe pas nderimit që iu bë familjes Jashari për flijimin dhe sakrificën sublime për shtetin e Kosovës, Kurti tha se para 25-vjetëve, tre breza të Jasharajve luftuan tri ditë rresht. Ai kujtoi se për çdo minutë në betejë në Prekaz me mijëra forca policore të Serbisë, e kishin rrethuar kullën e shtëpinë e Jasharajve në mënyrë të shumëfishtë, derisa tha se ri rrjedhojë ra heroikisht familja Jashari bashkë me komandantin legjendar Adem Jashari.

“Sot, ndërtojmë institucione demokratike, bëjmë zhvillim ekonomik, pa harruar asnjëherë se kujt ia kemi borxh këtë liri e këtë mundësi, që të ecim përpara”, u shpreh kryeministri Kurti.

Pas homazheve te varrezat, kryeministri Kurti së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe kryekuvendarin Glauk Konjufca, anëtarë të kabinetit qeverisës dhe përfaqësues tjerë të Kuvendit, vizituan odën e Jasharajave, ku u pritën nga kryefamiljari Rifat Jashari, vëllai i Adem dhe Hamëz Jasharit. Aty, me këtë rast, presidentja e vendit i ndau Rifat Jasharit medaljen “Urdhri i Lirisë”.

/TV Arbëria

Powered by WordPress