Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Kurti në Istog, viziton familjet e evakuura

Kurti në Istog, viziton familjet e evakuura

Kryeministri Albin Kurti mëngjesin e sotëm (e premte) ka qëndruar në Istog, saktësisht në fshatin Drejë, ku ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë prej mbrëmë (e enjte) në operacion për të ndihmuar banorët, shtëpitë e të cilëve janë bllokuar.

Kurti, që ishte i shoqëruar edhe nga ministrat Mehaj dhe Krasniqi, e që u prit nga kryetari i Istogut, Ilir Ferati, shkuan në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istogu duke vizituar dy familje të evakuara nga Zallqi: Arton dhe Luljeta Jahajn me katër fëmijë të vegjël, dhe, Avdi e Floreta Jahajn me dy fëmijë të vegjël.

“Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale nuk kemi qytetarë të vdekur e as të lënduar. Edhe Klina, Peja e Gjakova, sikurse edhe Mitrovica, Skenderaj e Podujeva kanë pësuar dëme. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore qëndrojnë pranë banorëve të komunave ku pati vërshime duke i ndihmuar e mbështetur ata”, shkroi Kurti në Facebook.

Shefi i ekzekutivit dha edhe arsyet e përmbytjeve në vendin tonë.

“Dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i egër i zhavorrit, prerja ilegale e pyjeve ndër vite dhe mungesa e projekteve të pyllëzimit, sistemet jo adekuate të kanalizimit dhe ujëmbledhjes, si dhe ndryshimet klimatike globale i kanë lehtësuar, shpejtuar e shpeshtuar përmbytjet e vendbanimeve nga vërshimet”, përfundoi Kurti. /TV Arbëria

Powered by WordPress