Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori pjesë si mysafir nderi në drekën e ftuar nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ku është takuar edhe me ambasadorë të akredituar të vendeve të Bashkimit Evropian (BE).
Kryeministria në një komunikatë për media, njoftoi se Kurti ka folur për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën.
“Në këtë drekë, kryeministri theksoi rëndësinë që ka Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën, veçanërisht, dhe përgatitjet që Qeveria po bën për këtë plan. Ai bëri thirrje për largimin e masave të BE-së ndaj Kosovës, teksa përsëriti mbështetjen dhe orientimin e qartë që Kosova ka për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Kurti falënderoi të gjithë ambasadorët për siç thotë ai bashkëpunimin dhe komunikimin e rregullt.
Ndërkaq në takimin e presidentes Osmani me krerët e partive politike ai nuk mori pjesë ndonëse ishte i ftuar.
Qeveria ka thënë se arsye e mungesës së tij ishte takimi me ambasadorët, teksa Osmani u shpreh se nuk ka marrë përgjigje nga ai duke thënë se “Një përgjigje që e kam pasë pak ma herët është që nuk është në Kosovë, mirëpo qenka”.
“Unë i ftoj një herë në katër vjet për zgjedhje të rregullta. Nuk është se shpesh fton presidentja për takime për tema të tilla të interesit nacional, mirëpo secili kryetar i partisë i cakton prioritetet e veta. Kështu që kryeministri ka përcaktu prioritet tjetër. Këtë përgjigje jua paska dhënë juve [gazetares], ne nuk e kemi. Një përgjigje që e kam pasë pak ma herët është që nuk është në Kosovë, mirëpo qenka”, ka deklaruar Osmani.