Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kurti mirëpret kryetarin e komunës Baden bei Wien në Austri, e falënderoi për mbështetjen që Austria i ka dhënë Kosovës

Kurti mirëpret kryetarin e komunës Baden bei Wien në Austri, e falënderoi për mbështetjen që Austria i ka dhënë Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në zyrën e tij kryetarin e Komunës së Baden bei Wienit në Austri, Stefan Szirucsek, i cili u shoqërua nga anëtari i Këshillit të qytetit, Nusret Bujari.

Kurti e uroi kryetarin Szirucsek për binjakëzimin e suksesshëm të komunave Baden dhe Suharekë, duke shprehur krenarinë e tij për integrimin e mirë të shqiptarëve të Kosovës në Baden dhe rolin e rëndësishëm të shoqatës “17 Shkurt” në këtë drejtim.

“Gjatë takimit, kryeministri falënderoi kryetarin Szirucsek për mbështetjen që Austria i ka dhënë Kosovës, veçanërisht gjatë dhe pas luftës dhe për njohjen e diplomave nga Kosova. Ai theksoi marrëdhëniet shumë të mira kulturore, politike dhe historike ndërmjet Kosovës dhe Austrisë. Gjithashtu, kryeministri Kurti falënderoi Nusret Bujarin për punën e tij si anëtar i këshillit të qytetit në Baden dhe për rolin e tij si urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Badenit”, thuhet në njoftim.

Nga ana e tij, kryetari Szirucsek vlerësoi praninë e sipërmarrësve nga Kosova në Baden dhe përmendi trashëgiminë botërore të qytetit të tij, duke shprehur dëshirën për të forcuar më tej marrëdhëniet, veçanërisht në fushën e turizmit, ku ka pasur një rritje prej 50% të netëve të kaluara në Kosovë gjatë vitit të kaluar.

Kryeministri Kurti përmendi rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat e Badenit dhe diskutoi mundësitë për ta vendosur atë në institucionet arsimore të qytetit. Ai gjithashtu theksoi pjesëmarrjen e kompanive nga Baden në forumin e ardhshëm ekonomik Austri – Kosovë, që do të mbahet në Kosovë, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Themes by WordPress