Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ishin në rezidencën e Presidentit Ibrahim Rugova në Prishtinë, e cila po restaurohet.
Kurti e quajti historik Presidentin Rugova ndërsa tha se do të vazhdojnë ta ruajnë kujtesën mbi periudhën sa shërbeu ai.
“Me ndërhyrjet restauruese që janë drejt përfundimit, Rezidenca e Presidentit historik Ibrahim Rugova do të vazhdojë të ruaj kujtesën mbi njërën ndër periudhat më të rëndësishme të popullit tonë”, shkroi Kurti.
Ai publikoi pamje të filmuara me dron, ndërsa zyra e tij lëshoi një komunikatë për media me shumë fotografi nga vizita.
“Ka shku një kohë e gjatë pa bërë ndonjë investim në këtë shtëpi”, dëgjohet teksa thotë Fana Rugova, gruaja e Ibrahim Rugovës, e cila e falënderon Kurtin e Çekun.
Kurti tha se në atë objekt, vizitorët “kanë çka të mësojnë”.