Në kuadër të muajit të vetëdijesimit për parandalimin e kancerit të gjirit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një mesazh të fuqishëm për sensibilizimin dhe përkushtimin e shoqërisë ndaj këtij problemi shëndetësor. Slogani i fushatës për këtë vit është “Me ty fillon parandalimi!”, një thirrje që nënvizon rolin e çdo individi në luftën kundër kancerit të gjirit.
“Çdo vit diagnostikohen mbi 2.3 milionë raste të reja dhe humben 670 mijë jetë. Në Kosovë, vetëm vitin e kaluar, regjistrohëm 640 raste të reja, shumica gra, por edhe disa raste të burrave,” shkruan Kurti në postimin e tij, duke theksuar se ky është një problem që kërkon angazhim të përbashkët nga të gjithë.
Fushata e sivjetme ka për qëllim të rrisë vetëdijen dhe të nxisë veprime konkrete për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit. Për këtë, Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Shëndetësisë, ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm, si lehtësimin e qasjes në kontrolle dhe mamografi falas në institucionet publike. Po ashtu, është investuar në pajisje të teknologjisë së fundit dhe trajnimin e personelit shëndetësor, për të ofruar trajtim të cilësisë së lartë.
“Plani Kombëtar i Skriningut për Kancerin e Gjirit 2026-2028 është një hap i rëndësishëm për sigurimin e trajtimit dhe parandalimit të këtij kanceri, dhe ka për qëllim që çdo qytetar të ketë mundësi të diagnostikohet në kohë,” shton ai.