Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kurti: Lavdi rreshter Afrim Bunjakut

Kurti: Lavdi rreshter Afrim Bunjakut

Kryeministri Albin Kurti, ishte të hënën në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë, ku me ceremoni shtetërore u varros polici i rënë dje në krye të detyrës, Heroi i Republikës së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Para të pranishmëve të shumtë, familjarëve e kolegëve të të ndjerit, përfaqësuesve të institucioneve të vendit e atyre ndërkombëtare, kryeministri Kurti deklaroi se rënia në detyrë e Rreshter Afrim Bunjakut i veshur me uniformën e Policisë së Kosovës, është një sakrificë në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetutshmëri, për drejtësi e të drejta, për çdo qytetar të Kosovës pa dallim.

Ai tha se heroizmin e Afrimit e vazhduan sërish me profesionalizëm dhe vetëmohim kolegët e tij, policët e Kosovës, që i përballën grupet e armatosura kriminale e terroriste të Serbisë në veri të Kosovës.

Kryeministri ndër të tjera tha se dhënia e jetës për popullin dhe tokën që të ka lindur dhe rritur është vepra më sublime që mund ta bëjë një njeri, se dëshmori është grada më e lartë pas të cilës asgjë dhe askush nuk mund ta degradoj atë, dhe se pjesëmarrja në varrim është obligimi ynë i fundit për jetën e tij, kurse nderimi i veprës dhe vazhdimi i idealeve të saj, është obligimi i përjetshëm i ne të gjallëve për dëshmorët.

Fjala e kryeministrit Kurti:

Të dashur qytetarë,

E nderuara Presidente, Kryeparlamentar,

E nderuara familje Bunjaku, policë të Kosovës, kolegë të heroit Afrim Bunjaku,

Ministra e zëvendësministra, e deputetë e zyrtarë shtetërorë, të Kosovës, të Shqipërisë dhe të  vendeve mike e partnere,

Komandat Bashkim Jashari,

Drejtor i policisë, Gazmend Hoxha,

Baca Rifat,

Kryetarë të Komunave,

Myfti Naim,

Shkëlqesi ambasadorë e diplomatë të tjerë,

Motra dhe vëllezër nga e gjithë Kosova që keni ardhur sot këtu në Samadrexhë të Vushtrrisë për ta nderuar veprën e heroit Afrim Bunjaku dhe për t’i dhënë lamtumirën. Dhënia e jetës për popullin dhe tokën që të ka lindur dhe rritur, është vepra më sublime që mund ta bëjë një njeri. Dëshmori është grada më e lartë pas të cilës asgjë dhe askush nuk mund ta degradoj atë. Pjesëmarrja në varrim është obligimi ynë i mbramë për jetën e tij, kurse nderimi i veprës dhe vazhdimi i idealeve të saj, është obligimi i përjetshëm i ne të gjallëve për dëshmorët.

/TV Arbëria