Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 36-vjetorin e rënies heroike të dëshmorëve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, të cilët ranë më 2 nëntor 1989 në përballje me forcat jugosllave dhe serbe në Prishtinë.
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti ka vlerësuar lart sakrificën e tyre, duke e cilësuar rënien e Zhitit dhe Fazliut si një ngjarje që zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe sensibilizoi opinionin ndërkombëtar për kauzën e popullit të Kosovës.
“Para 36 vjetëve, në ballafaqim të drejtpërdrejt me forcat armike të Jugosllavisë e të Serbisë okupatore, ranë heroikisht Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia. Që të dy ishin shumë të rinj, por edhe shumë të pjekur… Rënia e tyre zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe tregoi se në Kosovë ka një popull që nuk nënshtrohet dhe që do të rezistojë deri në liri,” ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se jeta dhe vepra e këtyre heronjve duhet të studiohen më shumë nga historianët dhe studiuesit, pasi, sipas tij, liria e brezave të ardhshëm varet nga mënyra se si kuptohet dhe përcillet sakrifica e atyre që dhanë gjithçka për vendin.
Në fund të postimit, Kurti ka përfunduar me fjalët: “Lavdi Afrimit e Fahriut dhe gjithë dëshmorëve të kombit tonë!”