Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kurti lamtumirë Kadaresë: U ndamë prej trupit të tij që e mori arkivoli i mbështjellë me flamurin kombëtar

Kurti lamtumirë Kadaresë: U ndamë prej trupit të tij që e mori arkivoli i mbështjellë me flamurin kombëtar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dhënë lamtumirën shkrimit të njohur ndërkombëtarisht Ismail Kadare, i cili ka vdekur më 1 korrik.

Kurti përmes një postimi në Facebook, tha se “u ndamë prej trupit të tij që e mori arkivoli i mbështjellë me flamurin kombëtar”.

“Kumbues, zhbirues dhe bashkues është shpirti krijues i Kadaresë. Rend i gjatë: në një rresht njerëz nga të gjitha trevat dhe shtresat. Ishte i të gjithëve, andaj të gjithë e nderojnë sot. As gjysmën e librave të historisë s’besoj se do t’i kisha lexuar sikur të mos ishin romanet e Kadaresë. Letërsi që të cyt kah historia për t’iu rikthyer mandej atyre romaneve. Domosdoshmëria dhe pamjaftueshmëria e historisë, njëkohësisht. Bukuria që ta shuan imagjinatën dhe inteligjenca që ta nxit kureshtjen, po ashtu njëkohësisht. Ndërkohë, fiton kulturë”.

“Brezi im është rritur me Ismail Kadarenë. Me të mësuar shkrim-lexim: Princesha Argjiro. Në fillore: Kështjella. Në gjimnaz: Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Më pas: çdo roman i tij që na binte në dorë. Tash: gjithçka që ka shkruar e botuar. Jeta e tij është e përjetshme (për ne) sepse veprat e tij janë të pashtershme (edhe për ata pas nesh). Pusho i qetë shkrimtari ynë i madh. Le të qetësohemi dhe shqetësohemi ne me veprën tënde”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Powered by WordPress