Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kurti: Kosova është demokracia më e avancuar në Ballkanin Perëndimor

Kurti: Kosova është demokracia më e avancuar në Ballkanin Perëndimor

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova është demokracia më e avancuar në Ballkanin Perëndimor dhe një mbajtëse e standarteve të vlerave themelore të BE-së, por ende mbetet vetëm një kandidat i mundshëm për anëtarësimin në BE.

Kurti ka deklaruar se angazhimi i Kosovës për anëtarësim në BE, dhe për vlerat, politikat dhe standardet e saj, është më i fortë se kurrë.

“Për më shumë se dy dekada, Bashkimi Evropian ka pohuar në vazhdimësi se Ballkani Perëndimor e ka vendin në Bashkimin Evropian. Ky zotim u shpreh pa ekuivok në Samitin e Selanikut në vitin 2003, ku BE-ja premtoi mbështetje për integrimin tonë evropian. Zotimi u përsërit shumë herë përmes konkludimeve të Këshillit Evropian, çdo gjashtë muaj. Mirëpo, deri tani, vetëm Kroacia ka arritur të bëhet anëtare. Si e tillë, linjëzimi ynë i plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së është i padiskutueshëm, duke pasur parasysh se qytetarët tanë mbështesin fuqishëm integrimin e Kosovës në BE. Lufta në Ukrainë theksoi nevojën për forcimin e unitetit dhe solidaritetit në mbarë Evropën. Politika e Përbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë e BE-së veçohet si një instrument kyç për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajonin dhe kontinentin tonë”, tha ai.

Kryeministri i vendit ka theksuar se Kosova është plotësisht e linjëzuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe vlerat e BE-së si pjesë e reformave të vazhdueshme.

Sipas tij tash e tetë vjet, Kosova po tregon vazhdimisht vullnetin politik dhe kapacitetin për të zbatuar detyrimet që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA), e cila ka hyrë në fuqi që nga prilli i vitit 2016.

“Ne kemi përmirësuar ndjeshëm cilësinë e politikave, duke dëshmuar kështu aftësinë tonë për të zbatuar acquis-in sektorial të BE-së”.