Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kurti kërkon durim për koeficientin e pagave dhe ministrin e ri të Shëndetësisë

Kurti kërkon durim për koeficientin e pagave dhe ministrin e ri të Shëndetësisë

Kryeministri Albin Kurti kërkoi durim për të publikuar koeficientin për pagat, ligji i të cilës kaloi në lexim të dytë ditë më parë e që do të hyjë në fuqi më 1 shkurt. Ai tha se në janar do ta publikojnë koeficientin. Gjithashtu, Kurti kërkoi durim për emrin e ministrit të ri të Shëndetësisë, por që për dallim nga koeficientit, emri i ministrit do të bëhet publik më shpejtë, brenda tri ditësh.

Duke folur për Ligjin për paga, Kurti tha se mori kohë më shumë se që kishin dëshiruar por janë kujdesur që të mos ketë ndonjë të metë dhe të rrëzohet nga gjykata siç është vepruar në të kaluarën.

Kurti: Në janar vendoset koeficienti për paga

“Ne nuk e kemi pasur si pikënisje vlerën e koeficientit por tërësinë e buxhetit. Në muajin janar do të vendoset, sigurisht dhe pas 1 shkurtit fillojnë pagat me ligjin e pagave. Ne nuk mundemi të përcaktojmë koeficientin në Ligjin e pagave sepse kjo lidhet me buxhetin dhe do ta bëjmë në muajin janar, ju po kërkoni tash përafërsisht, sot më 24 dhjetor, unë po kërkoj pak durim prej jush dhe jo përafërsisht por saktësisht në janar 2023”, tha Kurti.

Së fundmi është raportuar për një rikthim të Arben Vitisë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë. Mirëpo Kurti nuk e zbuloi duke thënë se emrin e kreut të ri të këtij dikasteri do ta zbulojë në fillim të javës së ardhshme.

Kurti: Emri i ministri i ri të Shëndetësisë javën e ardhshme

“Ne duhet ta marrim një vendim lidhur me Ministrinë e Shëndetësisë, përkatësisht me emrin e ministres apo ministrit aty dhe këtë do ta bëjmë para Vitit të Ri. Madje qysh në fillim të javës së ardhshme… A do të jetë Arben Vitia? Duhet të keni durim pak ditë, jo më shumë se tri. Ose 72 orë po i bie. Ndoshta më pak”, tha Kurti.

Që prej dorëheqjes së Rifat Latifit më 6 tetor të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë udhëhiqet nga ushtruesja e detyrës Dafina Gexha-Bunjaku.   /TV Arbëria

Powered by WordPress